LAJME

Hashim Thaqi sot në Kosovë

Hashim Thaqi sot në Kosovë
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Mars 2025, 10:19

Pas tri kërkesave të refuzuara, Gjykata Speciale e ka miratuar kërkesën e Hashim Thaçit për të vizituar Kosovën, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të babait të tij.

Ish-presidenti Thaçi tashmë është në Kosovë, dhe aktualisht ndodhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i shoqëruar nga forca të sigurisë.

Vizitën e Thaçit në Kosovë, e ka konfirmuar për Dukagjinin, zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle.

Sipas tij, kërkesa e Thaçit për vizitë në Kosovë është aprovuar “për arsye të forta humanitare”.

“Për arsye të forta humanitare, Trupi Gjykues dhe Gjyqtari i Procedurës Paraprake kanë udhëzuar Regjistrin që të organizojë një vizitë në Kosovë për Hashim Thaçin, në mënyrë që ai të jetë pranë babait të tij. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe nën kujdestarinë e Dhomave të Specializuara”, ka thënë Doyle.

Më 14 shkurt 2025, Thaçi kishte paraqitur kërkesën e tij të katërt për të ardhur në Kosovë, pasi tre kërkesat e mëparshme ishin refuzuar nga Specialja, e cila kishte vlerësuar se gjendja e babait të tij nuk ishte aq e rëndë.

Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Ai është duke u gjykuar për krime lufte si dhe së fundi iu është ngritur një aktakuzë kundër administrimit të drejtësisë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika