Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas situatës politike të krijuar në Malin e Zi.
Haradinaj në Facebook ka shkruar se formimi i qeverisë së re të Malit të Zi, përpos që reflekton vullnetin qytetar dhe pluralizmin politik, duhet pashkëputshëm të mishërojë vlerat pro perëndimore, që lidhen me NATO-n e integrimin evropian.
“Si vend e komb, jemi gjithmonë në linjë me politikën e jashtme të SHBA-ve, sa i përket zhvillimeve në rajon si dhe atyre globale. Në këtë kontekst konsiderojmë që formimi i qeverisë së re të Malit të Zi, përpos që reflekton vullnetin qytetar dhe pluralizmin politik, duhet pashkëputshëm t’i mishërojë vlerat pro perëndimore, që lidhen me NATO-n, integrimin evropian, fqinjësinë e mirë dhe refuzimin e ndikimeve dhe ndërhyrjeve të jashtme destruktive nga ana e Serbisë dhe partnerit të saj, Rusisë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se shqiptarët në Mal të Zi duhet ta shohin të domosdoshëm orientimin pro amerikan dhe pro evropian.
”Ftojmë faktorin politik shqiptar që në këto procese, tani dhe në të ardhmen, pjesëmarrjen dhe reflektimin e vullnetit të qytetarëve shqiptarë në të gjitha institucionet e Malit të Zi, ta shoh para së gjithash në dritë të domosdoshmërisë së orientimit pro amerikan dhe pro evropian. Çfarëdo qasje tjetër nga cilido akter në Mal të Zi do të ishte i dëmshëm për rajonin në aspektin afatshkurtër, por edhe për vet Malin e Zi në një perspektivë afatgjate”, tha Haradinaj.
Krerët e tri partive që përbëjnë Forumin Shqiptar në Mal të Zi, është raportuar se kanë nënshkruar marrëveshjen për formimin e qeverisë së re.
Marrëveshja është nënshkruar nga Milojko Spajiq, lideri i lëvizjes “Evropa tani” që pritet të jetë kryeministër i ardhshëm i Malit të Zi, si dhe liderët e ”Demokracisë së Re Serbe” Andrija Mandiq, Partia Popullore Demokratike Milan Knezheviq, Demokrati Aleksa Beçiq, Partia Popullore Socialiste Vladimir Jokoviq dhe Civisa Srgjan Paviçeviq./KOHA/