Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur se serbët në veri nuk kanë arsye të ndjehen të rrezikuar, e aq më pak ta bllokojnë veten e veriun.
Përmes një shkrimi në Facebook, Haradinaj ka theksuar se ato barrikada më së shumti po i dëmtojë vetë serbët lokal.
“Kosova ka pranuar që serbët t’i trajtojë si qytetarë të barabartë, dhe në plot raste me të drejta edhe më të avancuara. Institucionet qendrore kanë hapur të gjitha dyert për integrimin e qytetarëve serbë, duke garantuar sigurinë për ta, duke marrë përsipër obligime të mëdha financiare, duke garantuar përfaqësimin e tyre politik madje edhe duke u dhënë të drejtën e vetos për plot çështje që kanë të bëjnë me interesat e tyre, kjo qoftë edhe duke e diskriminuar popullatën shumicë. Prandaj, serbët në veri nuk kanë arsye të ndjehen as të rrezikuar as të nëpërkëmbur, e aq më pak kanë nevojë ta bllokojnë veten e veriun.”, ka shkruar ai.





