Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka premtuar rritjen e pensioneve për 50 për qind. Ai tha se pensionet kontribut-pagues nuk guxojnë të mbeten nën pagën minimale.
Këto premtime Haradinaj i bëri të martën, pasi vizitoi Shoqatën e Pensionistëve të Kosovës, ku u prit nga kryetari, Njazi Thaçi.
“Në projeksionet tona buxhetore për periudhën 2025-2028 me disiplinën e numrave kemi parapa rritjen 50 për qind (të pensioneve). Kalkulimet ia dorëzova edhe kryetarit siç është parapa të të gjitha skemave pensionale, jo vetëm të atyre që janë kontribut-pagues. Siç e dina ligji për kontribut paguesit ka paraparë 15 vjet i cili në periudhë të afërt kohore e pamundëson vazhdimin e kësaj skeme. Na duhet një ndërhyrje në ligj që me vazhdua dhe mos me i kushtëzuar me 15 vjet, pasi i bie që ia humbin kontribut paguesve një të drejte që iu takon”, tha ai.
Sipas tij, rritja do të ketë edhe për të gjitha skemat pensionale, ku buxheti nga 608 milionë sa është aktualisht do të ngritët në 900 milionë.
“Në kalkulimet tona rritja bëhet për të gjitha skemat pensionale. Kjo i bie që shtohet obligimi buxhetor, mbërrin për të gjitha skemat pensionale në 900 milionë nga 608 milionë sa është tash. Kjo është e përballueshme për buxhetin e Kosovës. Njëkohësisht një rritje e vazhdueshme në rritje që shkon në 10 për qind…Unë besoj se pensioni për kontribut-pagues nuk guxon me mbet nën pagën minimale, sikurse e dina se pensionet janë në 60-70 për qind të një page. Një page mesatare”, shtoi Haradinaj.
E nikoqiri i takimit, kryetari i pensionistëve, Njazi Thaçi tha se e mirëpret angazhimin e Haradinajt për të zgjidhur çështjen e pensionistëve.
“Ka treguar sens për me dëgjua për problemet tona dhe me na prezantua perspektivën e tyre sesi këta kanë me zgjedh çështjen e pensionistëve”, tha ai.