Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është deklaruar pas takimit me emisarin amerikan, Gabriel Escobar.
“Ishte kënaqësi të takohemi sonte me emisarin amerikan z. Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Kjo vizitë, tha Haradinaj, “po vjen në një moment të rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin”.
“Shfrytëzova rastin të falënderoj z. Escobar për angazhimin e tij përgjatë gjithë kohës në forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me ShBA-të, njëkohësisht në angazhimin e tij në procesin e dialogut. Kërkova të ngritet niveli i marrëdhënieve biletarale Kosovë-ShBA. Ka progres, por theksova se është shumë e nevojshme që agjenda e shtetit të Kosovës të shtyhet përpara me përgjegjësi të lartë shtetërore dhe institucionale drejt anëtarësimit në NATO si dhe qeveria të jetë në bashkëpunim të plotë me aleatin tonë strategjik dhe të përjetshëm, ShBA-të”, përfundoj Haradinaj.
Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, tha se komunikimi me aleatët strategjikë, është jo vetëm i mirëseardhur dhe i frytshëm, por edhe i domosdoshëm për t’i avancuar interesat e Kosovës.
“Nisur nga ky qëllim, sonte, në rezidencën e ambasadorit Hovenier zhvilluam një darkë pune me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar”, shkroi Krasniqi në Facebook duke publikuar edhe një fotografi të përbashkët.