Ish-kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati për deputet, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve, duke falënderuar qytetarët në Kosovë dhe diasporë për besimin e dhënë.
Përmes një mesazhi publik, Haradinaj u shpreh mirënjohës ndaj të gjithë votuesve që, sipas tij, i besuan vizionit të AAK-së për një Kosovë të sigurt, të zhvilluar dhe sovrane.
“Kur Sovrani flet, të tjerët heshtin”, ka deklaruar Haradinaj, duke vlerësuar mbështetjen e qytetarëve dhe angazhimin e tyre gjatë procesit zgjedhor.
Ai theksoi se vota për AAK-në ka qenë më shumë sesa një mbështetje politike, duke e cilësuar atë si motivim për të vazhduar angazhimin për zhvillimin e vendit, forcimin e demokracisë dhe ruajtjen e partneritetit strategjik me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara.
Haradinaj vlerësoi gjithashtu listën zgjedhore të AAK-së, duke theksuar se asaj kësaj radhe i priu me sukses Ardian Gjini.
Në reagimin e tij, ai garantoi se pas kësaj gare elektorale, AAK-ja do të jetë edhe më e përkushtuar në realizimin e objektivave të saj politike, duke vepruar, siç tha ai, në interes të shtetit dhe kombit.
Në fund, Haradinaj uroi qytetarët e Kosovës dhe institucionet e përfshira në organizimin e zgjedhjeve, duke shprehur besimin se procesi zgjedhor ka qenë i lirë, i ndershëm dhe demokratik.