LAJME

Haradinaj me kritika: Kosova nuk është e varfër, por e keqqeverisur

Haradinaj me kritika: Kosova nuk është e varfër, por e keqqeverisur
TV Prizreni
TV Prizreni
23 Mars 2026, 13:12

Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve politike dhe gjendjes socio-ekonomike në vend, duke e cilësuar situatën aktuale si “jonormale” dhe të dëmshme për qytetarët.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se është “e dhimbshme kur jo-normaliteti shndërrohet në mënyrë jetese”, duke kritikuar qeverisjen dhe funksionimin institucional në vend.

Haradinaj ka theksuar se vendi po përballet me bllokada politike dhe institucionale, duke shtuar se “kur bëhemi vendi i vetëm me parlament të zgjedhur, por të pezulluar”, kjo dëmton drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

Ai ka ngritur shqetësime edhe për gjendjen ekonomike dhe sociale, duke vënë në pah varfërinë, emigrimin dhe rritjen e kostos së jetesës.

“Nuk po flasim për vargun e njerëzve që po e braktisin Kosovën Për ata që nuk e lidhin fillimin me fundin e muajit. Që tryezën e kanë përditë e më të varfër. Për pushtetin që e shtrenjton rrymën sa herë që i teket. Për zhgënjimin e prindërve me sistemin shkollor të fëmijëve të tyre. Për të sëmurët që shërimin e kanë të papërballueshëm” – ka shkruar Haradinaj.

Në reagimin e tij, Haradinaj ka përmendur edhe rastet tragjike të qytetarëve që humbin jetën jashtë vendit, duke theksuar se ata detyrohen të kërkojnë punë të rënda në mungesë të perspektivës në Kosovë.

Ai ka kritikuar gjithashtu politikat sociale dhe ekonomike, duke i quajtur ndihmat financiare si të pamjaftueshme. “Ndihmat prej 100 eurosh… nuk janë më shumë se sa lëmoshë” – është shprehur ai.

Duke folur për zhvillimin ekonomik, Haradinaj ka ngritur pyetjen: “Si ndodhi që u zhdukën nga fjalori investimet kapitale apo investimet e huaja?”, ndërsa ka përmendur edhe tenderët dhe projektet e papërfunduara si problematikë.

Në fund, ai ka bërë thirrje për ndryshim politik, duke theksuar se qytetarët duhet të reagojnë përmes votës.

“Sot është koha që ai ta marrë fatin në duart e veta… duke ndëshkuar fajtorët” – ka deklaruar Haradinaj.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika