Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka premtuar se nëse vjen në pushtet koalicioni AAK – Nisma – Konservatorët dhe E-30, paga mesatare në Kosovë do të jetë 1000 euro, ndërsa nuk do të ketë asnjë nën 500 euro, raporton Ekonomia Online.
Ai madje ka thënë se deri në fund të vitit 2028 do të përkujdeset që “paga minimale në Kosovë të jetë 1000 euro”.
“Për ta kthyer besimin e qytetarëve, që në ditët e para të qeverisjes sonë nuk do të ketë pagë mestarë nën 1000 euro dhe s’do të ketë pagë më të vogël se 500 euro. E deri në fund të mandatit më 2028 paga minimale do të jetë 1000 euro”, ka thënë Haradinaj në konferencë për media.
Haradinaj ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “do të rrisë pagat para zgjedhjeve”.
Por, ai i ka bërë thirrje Kurtit që t’i rrisë qysh para dimrit.
“Qe 4 vjet i ka lënë pa rritur pagat. Le t’i rrisë së paku para dimrit e jo t’i rrisë pak para zgjedhjeve e t’i nënshtrojë qytetarët në këtë mënyrë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se zgjedhjet e shpallura më 9 shkurt 2025 janë “një mundësi e jashtëzakonshme që të kthehemi në normalitet”.
Ai ka shtuar se ky koalicion tashmë e ka draftin e saj të programit qeverisës e madje edhe një strategji për “fushatat linçuese të Albin Kurtit dhe ushtrisë së tij të internetit”.
Tutje, Haradinaj ka theksuar se populli i Kosovës nuk është analfabet, ashtu siç, sipas tij, e ka cilësuar Qeveria Kurti e se “është popull mirënjohës ndaj Amerikës dhe se nuk lejon asnjë qeveri të lëndojë raportet tona me aleatet dhe rrugën tonë euro-atlantike”.
“Zgjedhjet e shpallura me 9 shkurt 2025, janë një mundësi e jashtëzakonshme që të kthehemi në normalitet. Sidoqoftë, me 9 shkurt 2025, populli i Kosovës do të dijë të dëshmojë se nuk është popull analfabet, ashtu siç e ka cilësuar kjo qeveri. Populli nuk mashtrohet, nuk harron e nuk gabon, është popull mirënjohës ndaj Amerikës dhe se nuk lejon asnjë qeveri të lëndojë raportet tona me aleatet dhe rrugën tonë euro-atlantike, se nuk e lejon askënd ta kthejë prapa e ta stagnojë zhvillimin e vendit, se nuk e lejon askënd, që të krijojë kriza artificiale, me qëllimin e vetëm mbetjen në pushtet pavarësisht çmimit. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me partneret e saj në koalicion, Nisma, Konservatoret, Intelektualët, janë bërë bashkë të përballen me ata që kanë shkelë mbi çdo vlerë, kanë fyer, kanë nënçmuar e kanë shpifur, kanë tradhtuar besimin e qytetarit, kanë tradhtuar të varfrit, e kanë tradhtuar edhe diasporën”, tha Haradinaj.
E kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka thënë se “Kosova për katër vjet ka stagnuar në të gjitha fushat”./KOHA/