Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se secili që rrezikon ushtarët amerikanë në Kosovë, është kundër Kosovës dhe do të trajtohet si armik i saj.
Haradinaj ka thënë se pavarësisht se individët e tillë mund të kenë përgjegjësi shtetërore, do të dërgohen në burg apo të largohen nga vendi.
“Kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë në Kosovë, as nuk i takon Kosovës dhe as nuk do t’i takojë Kosovës. Është vetëm kundër Kosovës. Dhe, si armik i Kosovës do të trajtohet! Prandaj, ose do të jetë në burg ose do të ikë e fshihet nga Kosova! Pavarësisht çfarë shtetësie ka dhe çfarë detyre ka, ai-ajo-ata do të ndëshkohen! Të gjithë ju që keni përgjegjësi shtetërore, nëse e gjeni veten këtu, pas lutjes (edhe publike) amerikane për Qeverinë e Kosovës, dijeni se s’do ta keni mbrojtje petkun që ju mbështjellë përkohësisht”, ka shkruar ai në Facebook.
Ky reagim i Haradinaj u bë pas deklaratës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, ka shtuar ai.