Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka shpërndarë një videoinçizim në faqen e tij facebook ku shihet Kryeministri Albin Kurti në një televizion të Shqipërisë duke u ankuar për taksën që duhet paguar prej 5 euro për të hyrë në Shqipëri.
Kurti në këtë video gjatë gjithë kohës potencon se sa i përket një klase të mesme dhe se shifra prej 5 euro që ai paguan është e lartë dhe se nuk shkon për shtetin por për një milioner.
Haradinaj krahas videos së shpërndarë ka shkruar se kur Kurti ka kundërshtuar ashpër këtë taksë ai ishte përkahë tij.
“Por ti nuk paske qenë i sinqertë, sepse ndryshe nuk kishe vendosur që shtresës së mesme të popullit, e për hesap të oligarkëve, me ia marrë edhe nga 5 euro nga xhepi. Edhe kjo “nalepnica jote” ka mundur të kushtojë 1 euro, por ti paske hesape të tjera”.
Tutje Haradinaj ka thënë se dikur vetëm ai e quante Kurtin mashtrues ndërkaq që tani numri i atyre që mendojnë njëjtë me të, që e cilësojnë Kurtin mashtrues është shumë i madh.
“Zbrit në tokë o Kryeministër se Shteti nuk udhëhiqet me llafe, sado të bukura qofshin ato, por me punë! E ju çdo punë po e keni të ligë, siç e ligë është edhe kjo hajnia prej 5 eurosh!”, shkroi në fund Haradinaj.
Postimi i plotë:
”Dikur e kundërshtoje ashpër taksën e Rrugës së Kombit dhe unë atëherë isha me ty! Por ti nuk paske qenë i sinqertë, sepse ndryshe nuk kishe vendosur që shtresës së mesme të popullit, e për hesap të oligarkëve, me ia marrë edhe nga 5 euro nga xhepi. Edhe kjo “nalepnica jote” ka mundur të kushtojë 1 euro, por ti paske hesape të tjera. Dikur veç unë të quaja mashtrues e tani numri atyre që të cilësojnë si mashtrues është tepër i madh! Zbrit në tokë o Kryeministër se Shteti nuk udhëhiqet me llafe, sado të bukura qofshin ato, por me punë! E ju çdo punë po e keni të ligë, siç e ligë është edhe kjo hajnia prej 5 eurosh!”