Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook të shtunën, ka kritikuar pushtetin, duke thënë se është e vështirë të kuptohet logjika e tyre, pasi që sipas tij, eksponentët e pushtetit vazhdimisht thonë se drejtësia në Kosovë nuk është e pavarur e në anën tjetër kërkojnë ekstradimin e kryeterroristit të Banjskës, Milan Radoiçiq.
“Qysh ta kuptojmë logjikën e këtij pushteti? Ka vendosur kusht të dialogut ekstradimin e Radojçiqit drejtësisë së Kosovës, e në të njëjtën kohë prej Kryeministrit, te Ministrja e Drejtësisë e tek deputetët e VV-së, krejt çka dëgjojmë është se drejtësia e Kosovës nuk është e pavarur. Dëgjojmë nga ata se opozita e kontrollon Prokurorinë, se gjyqtarët dhe prokurorët janë të kapur dhe vendimet e drejtësisë në vazhdimësi janë subjekt i interpretimeve politike të pushtetit. Nëse e bindin botën se drejtësia nuk është e pavarur, si mendojnë se dikush do t’ua ekstradojë Radojçiqin? Apo e kanë këtë kërkesë vetëm për konsum të brendshëm elektoral?”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka sulmuar kryeministrin Albin Kurti, i cili sipas tij paradite thotë se Kosova është vendi më demokratik në rajon, e pasdite ai dhe njerëzit e tij e sulmojnë pavarësinë e drejtësisë dhe bëjnë përpjekje të hapur për ndërhyrje te gjyqësori.
“Para dite thotë Kurti se Kosova është vendi më demokratik në rajon, e pasdite ai dhe njerëzit e tij e sulmojnë pavarësinë e drejtësisë dhe bëjnë përpjekje të hapur për ndërhyrje te gjyqësori. Kjo lidhje me shtet demokratik nuk ka. Përnjëmend, pushtet i çuditshëm!”, ka shkruar tutje kryetari i AAK-së./TVPrizreni/