Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një postim në Facebook ka komentuar deklaratën e ditës së djeshme të kryeministrit Kurti, i cili tha se ShBA-ja “s’mund ta përfaqësojë Kosovën e as ai ShBA-në”.
Haradinaj tha se Kryeministri Albin Kurti, këmbëngul që Amerika të jetë pjesë e problemit në Kosovë, ndonëse sipas Haradinajt, Amerika ka qenë pjesë e zgjidhjes së problemit.
“Cila është logjika e kryeministrit kur thotë se SHBA nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën, kur nuk mbahet mend që Amerika ta ketë kërkuar një gjë të tillë! (Pse nuk i kishte shkuar ndërmend Albin Kurtit të thoshte në vitin 1999 se Amerika nuk mund ta çlirojë Kosovën)”, tha Haradinaj, transmeton lajmi.net.
Ai shkroi se kryeministri po e luan “viktimën” njëjtë si në vitin 2020, kur u arrit marrëveshja e Uashingtonit nga Qeveria Hoti.
“Pse ai me çdo kusht kërkon që Amerikën ta bëjë pjesë të problemit kur ajo ishte dhe është pjesë e zgjidhjes. Pse Albin Kurti mundohet ta krijojë përshtypjen se ai mund të jetë viktimë e një “komploti ndërkombëtar”! Apo po provon që edhe njëherë ta luajë viktimën, si në vitin 2020”, tha ai.
Ai vlerësoi se Kurti nuk duhet t’i vë faj askujt përveç vetvetes, për shkakun se sipas Haradinajt, Kurti po shkon në drejtim të gabuar, të cilat kanë vënë në rrezik edhe vetë ekzistencën e shtetit.
“Detyrat dhe obligimet e një kryeministri janë të rënda, aq më tepër në rastin e Kosovës, dhe nëse nuk mund t’u bësh ballë sfidave që t’i nxjerr koha përpara, fajin nuk mund ta kërkosh diku tjetër, pos te vetja”, iu shpreh ai.
Sipas tij, Kosova nuk e ka luksin të bëjë eksperimente duke krijuar armiqësi me partnerët strategjik. Haradinaj ka thënë se i beson vendeve duke rikujtuar se ata kanë qenë afër Kosovës në ditët më të vështira.
“Kosova nuk e ka luksin të bëjë eksperimente duke u armiqësuar me partnerët strategjikë por duhet të shtrohet e të rinisë një fazë tjetër bashkëpunimi. Kjo dmth se Kryeministri duhet të bëjë kthesë për 180 shkallë sepse është në drejtimin e gabuar! Ky vit nuk mund të vazhdojë me të njëjtat gabime, sepse me këtë kurs është vënë në rrezik edhe vet ekzistenca e shtetit. Une u besoj atyre vendeve, që në krye me Amerikën, na janë gjendur në kohë të vështira”, tha ai.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Cila është logjika e kryeministrit kur thotë se SHBA nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën, kur nuk mbahet mend që Amerika ta ketë kërkuar një gjë të tillë! (Pse nuk i kishte shkuar ndërmend Albin Kurtit të thoshte në vitin 1999 se Amerika nuk mund ta çlirojë Kosovën)!
Pse ai me çdo kusht kërkon që Amerikën ta bëjë pjesë të problemit kur ajo ishte dhe është pjesë e zgjidhjes. Pse Albin Kurti mundohet ta krijojë përshtypjen se ai mund të jetë viktimë e një “komploti ndërkombëtar”! Apo po provon që edhe njëherë ta luajë viktimën, si në vitin 2020!
Detyrat dhe obligimet e një kryeministri janë të rënda, aq më tepër në rastin e Kosovës, dhe nëse nuk mund t’u bësh ballë sfidave që t’i nxjerr koha përpara, fajin nuk mund ta kërkosh diku tjetër, pos te vetja!
Kosova nuk e ka luksin të bëjë eksperimente duke u armiqësuar me partnerët strategjikë por duhet të shtrohet e të rinisë një fazë tjetër bashkëpunimi. Kjo dmth se Kryeministri duhet të bëjë kthesë për 180 shkallë sepse është në drejtimin e gabuar! Ky vit nuk mund të vazhdojë me të njëjtat gabime, sepse me këtë kurs është vënë në rrezik edhe vet ekzistenca e shtetit.
Une u besoj atyre vendeve, që në krye me Amerikën, na janë gjendur në kohë të vështira.