LAJME

Haradinaj: Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është opsionale, por e drejtë e patjetërsueshme

Haradinaj: Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është opsionale, por e drejtë e patjetërsueshme
TV Prizreni
TV Prizreni
18 Maj 2026, 07:12

Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është opsionale, por një gjuhë autoktone dhe e garantuar me Kushtetutë, e cila duhet të përdoret lirshëm në arsim, komunikim dhe jetën publike.

Në një postim në Facebook, Haradinaj theksoi se shqipja ka mbijetuar ndër shekuj pavarësisht sfidave historike, duke e cilësuar atë si pjesë të pandashme të identitetit shqiptar në këtë vend.

“Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është opsionale. Është gjuhë autoktone, gjuhë e këtij trualli, që nuk kanë mundur ta ndalin as kralat e as sulltanët” – ka deklaruar ai.

Haradinaj shtoi se studentët shqiptarë nuk po kërkojnë privilegje, por dinjitet, barazi dhe respekt për identitetin e tyre, duke shprehur mbështetje për protestën e paralajmëruar të tyre.

Sipas tij, përdorimi i gjuhës shqipe përfaqëson një të drejtë të patjetërsueshme që duhet të ushtrohet pa frikë dhe pa kompromis.

“Studentët shqiptarë sot nuk po kërkojnë privilegje, po kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për identitetin e tyre” – u shpreh Haradinaj, duke shtuar se mbështet plotësisht zërin e tyre.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika