Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta çojë draftin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.
Haradinaj ka propozuar që Kosova të kërkojë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian si kundërvlerë për procedimin me Asociacionin, garanci për anëtarësimin e përshpejtuar të vendit në NATO.
“Tani kemi një situatë jo të lehtë për Kosovën për shkak se Serbia nuk pranon t’i nënshkruajë marrëveshjet që ka ra dakord ashtu siç ka kërkuar qeveria e Kosovës dhe kryetari i qeverisë. Por edhe pse është kështu kjo situatë, unë do të kisha vepruar si vijon; kisha kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kundërvlerën e veprimit me Asociacionin me anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO. Pra procesin deri në NATO edhe si mundësi, sepse askush nuk mund ta garantojë që në një periudhë kohore të tillë deri kur do të ndodhë kjo për shkak të katërshes jonjohëse. Unë do të kisha vepruar në kontratë bilaterale me SHBA-në e do të kisha vepruar me të gjitha obligimet e dialogut në mënyrë që të arrijmë NATO-n”, ka deklaruar Haradinaj në një intërvistë për Zërin e Amerikës.





