Partia Demokratike e Kosovës po vazhdon për të shtatën ditë radhazi aksionin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste për mosthirrjen e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.
Aksionit të PDK-së edhe sot i janë bashkuar deputetë të Aleancës, ndërsa po marrin pjesë edhe asamblistë të PDK-së nga Komuna e Lipjanit. Përmes këtij aksioni, PDK-ja dhe Aleanca po kërkojnë që të vazhdohet seanca konstituive dhe të bëhet konstituimi i Kuvendit, duke e konsideruar të domosdoshme kthimin e procesit në Kuvend.
Asamblistja e PDK-së nga Komuna e Lipjanit, Yllëza Bedrolli, tha se institucionet nuk duhet të mbahen të bllokuara dhe kërkoi nga Lëvizja Vetëvendosje që të kthehet në Kuvend.
“E ftoj deputetin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje që me ardhur dhe me i hap dyert të Kuvendit edhe prej sot me filluar me i formuar institucionet, mos me i bllokuar këto edhe kryesisht mos me shkelë Kushtetutën, sepse Kushtetuta duhet të jetë mbi çdo interes politik. Ne jetojmë për Republikë, demokraci në mbështetje të tyre”, tha ajo.
Ndërsa, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se qëllimi i aksionit është ngritja e vetëdijes qytetare dhe politike për, siç u shpreh, shkeljet kushtetuese që po ndodhin në vend.
“Jemi këtu bashkë për të ngritur vetëdijen qytetare dhe politike për vendin tonë se një ndër shkeljet më të mëdha zinxhirore historike ka ndodhur në udhëheqjen e një partie, e cila siç po shihet është strukur diku në zyret e veta dhe e cila vazhdon me qenë recidiviste në shkelje kushtetuese. Historia do të tregojë se një kabinet qeveritar i përbërë prej 21 anëtarëve e prej tyre 17 njerëz janë betuar si deputetë edhe 17 njerëzve nuk ju vjen marre me shku prej Kuvendit në ministri me ushtruar funksione të dyfishta kundërligjshëm. Për me ushtruar funksion të kundërligjshëm si zyrtar publik, kjo nuk përshkruhet ndryshe veçse me këtë kabinet të kësaj partie, të cilëve gradualisht po ju vjen fundi dhe gradualisht po e shohin qytetarët e Kosovës se shkeljet kushtetuese të vazhdueshme janë logjikë e punës së Vetëvendosjes”, tha ai, raportoi EO.
Protestat e PDK-së para Qeverisë kanë nisur ditë më parë, ndërsa partia ka deklaruar se do të vazhdojë aksionet deri në thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive.
Në Vetëvendosje kanë thënë që seanca nuk po thirret për shkak se nuk ka ende një marrëveshje politike mes partive për çështjen e presidentit.
Për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë, në partinë fituese të zgjedhjeve, më herët kanë thënë se i kanë votat e nevojshme, pasi nevojitet një shumicë e thjeshtë prej 61 deputetëve. Data e fundit e afatit kushtetues për përmbylljen e këtij hapi ishte 7 gushti.
Vota të mjaftueshme nuk ka për zgjedhjen e presidentit, e Kushtetuta përcakton se kreu i shtetit duhet të zgjidhet brenda 60 ditësh nga konstituimi i Kuvendit./KOHA