Aplikimi është nënshkruar të mërkurën nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryekuvendari Glauk Konjufca.
Por, ka edhe shumë hapa që duhet bërë deri te arritja e anëtarësimit në BE.
Hapi i parë që Kosova e ka bërë në rrugën evropiane ishte fillimi i negociatave për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në tetor të vitit 2013.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u bë më 27 tetor të vitit 2015, pas dy vjetëve negociata dhe kërkim të një zgjidhje ligjore për nënshkrim të marrëveshjes.
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit hyri në fuqi më 1 prill të vitit 2016 dhe duhet të implementohet plotësisht deri në prill të vitit 2026, pra një periudhë dhjetëvjeçare.
Gjatë kësaj periudhe, të gjitha organet e strukturat e MSA-së funksionojnë dhe japin rezultate rregullisht.
Procesi i përafrimit duhet ta sjellë sistemin e drejtësisë së Kosovës dhe legjislacionin në përputhje me Acquisin e BE-së.
Politika e Jashtme dhe e Sigurisë e Kosovës duhet të jetë në përputhje me atë të BE-së dhe po ashtu Kosova duhet të angazhohet në mënyrë aktive në bashkëpunim rajonal.
Në lidhje me aplikimin për anëtarësim, në të cilën fazë është Kosova tash, thuhet: “Nuk është e nevojshme që Kosova të presë lejen e gjitha shteteve anëtare për të aplikuar për anëtarësim në BE. Aplikimi duhet të nënshkruhet nga autoritetet më të larta politike në Kosovë dhe duhet të dorëzohet në shtetin që e ka kryesinë e Këshillit të BE-së”.
Më pas aplikimi i Kosovës duhet të vendoset në agjendë të Këshillit të Bashkimit Evropian që kërkon aprovimin e përfaqësuesve të gjitha shteteve anëtare.
Kur tejkalohet ky hap më pas Këshilli i BE-së i kërkon Komisionit një opinion.
“Për Këshillin që t’i kërkojë Komisionit opinion për aplikimin e Kosovës, duhet të ketë konsensus të gjitha shteteve anëtare. Në bazë të kësaj kërkesë të Këshillit, shërbimet e Komisionit do të nisin të përgatisin një pyetësor special për të lejuar një vlerësim të plotë të gatishmërisë së vendit për të avancuar në procesin drejt integrimit në BE”, thuhet sipas rregullave të BE-së.
Më pas Komisioni paraqet një pyetësor legjislativ te aplikuesi. Aty janë disa mijëra pyetje që mbulojnë gjitha fushat politike dhe ekonomike dhe 33 kapitujt e Acquisit. Kërkohet për përgjigje në rend të mirë.
Aplikuesi më pas i përgjigjet pyetjeve. Duhet zakonisht mes 3 dhe 12 muajve për t’iu përgjigjur plotësisht gjitha pyetjeve dhe të kryhen gjitha detajet. Ato pyetje mund të shtrihen në mbi 10 mijë faqe, e duhet të përkthehen në gjuhën angleze apo në ndonjë gjuhë tjetër të BE-së, zakonisht frëngjisht apo gjermanisht.
Pasi kalohet ky hap Komisioni përgatit opinionin e vetë.
“Duhet afërsisht 6-8 muaj që Komisioni të përgatit opinionin të pasuar nga analizat e detajuara për gatishmërinë e shtetit që të procedojë tutje”, thuhet në rregulla.
Komisioni më pas rekomandon të ofrohet statusi i kandidatit.
“Nëse opinioni është pozitiv, Komisioni mund t’i rekomandojë Këshillit të BE-së që t’i ofrojë shtetit aplikues statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE”, thuhet në rregullore.
Këshilli më pas mund të marrë vendim për t’i ofruar statusin e kandidatit shtetit, e kjo kërkon konsensus të gjitha shteteve anëtare (COREPER, Këshilli i BE-së e Këshillit Evropian).
Komisioni më pas rekomandon të fillohen negociatat. Komisioni mund t’i rekomandojë Këshillit të BE-së (e pastaj Këshillit Evropian) të hapen negociatat me shtetin.
Këshilli i BE-së më pas vendos një datë për të nisur negociatat dhe i kërkon Komisionit të përgatitë kornizën e negociatave (kjo duhet të aprovohet edhe nga Këshilli i BE-së).
Pas kësaj fillojnë negociatat për anëtarësim sipas datës së caktuar dhe kornizës.
Gjitha kapitujt e negociatave do të ekzaminohen gjitha shtetet anëtare e do të kushtëzohen me arritjen e kritereve.
Vetëm pasi plotësohen gjitha kriteret dhe pasi pajtohen gjitha shtetet anëtare me konsensus, negociatat do të mbyllen e konsiderohen të përfunduara.
Pas përfundimit të kësaj, është nënshkrimi i Traktatit për Pranim si hapi i fundit i anëtarësimit zyrtarisht në BE.
Gjatë periudhës mes fundit të negociatave dhe nënshkrimit të Traktatit dhe ratifikimit nga gjitha shtetet anëtare, shteti do të konsiderohen si anëtarë që po vjen, me të drejta për të marrë pjesë në gjitha mbledhjet e BE-së dhe të marrë pjesë në diskutime.
Në datën, që është caktuar në Traktatin e Pranimit, shteti bëhet anëtar i BE-së me gjitha të drejtat e obligimet.