Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka takuar kryetarë dhe përfaqësues të tjerë të komunave që drejtohen nga zyrtarë të partisë së tij. Në mesin e tyre ishte edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci
Sipas njoftimit, fokusi kryesor i takimit ishte rritja e mobilizimit dhe forcimi i organizimit politik në funksion të shërbimit sa më të mirë për qytetarët.
Kreu i PDK-së ka theksuar se përballë zhvillimeve politike dhe sfidave ekonomike është thelbësore që strukturat e partisë të jenë të organizuara, aktive dhe të lidhura ngushtë me qytetarin.
“Pikërisht përmes një organizimi në terren dhe një mobilizimi të gjerë politik, PDK mund të ndërtojë një program të qartë, të realizueshëm dhe në përputhje me nevojat reale të qytetarëve. Degët tona duhet të jenë qendra të ideve, të angazhimit dhe të komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët. Vetëm përmes një organizimi të mirëfilltë dhe një mobilizimi të sinqertë mund të vijmë me një platformë politike që i përgjigjet pritshmërive të tyre.” – ka thënë Hamza sipas komunikatës së PDK-së.
Në këtë takim është diskutuar edhe për rritjen e koordinimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, si dhe për përfshirjen sa më të gjerë të strukturave partiake në procesin e përgatitjes së politikave dhe alternativave zhvillimore.
“Duke ruajtur një qasje të përgjegjshme dhe konstruktive ndaj zhvillimeve politike në vend, Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar që përmes organizimit të brendshëm dhe angazhimit në terren, të ndërtojë një platformë serioze dhe të nevojshme për qytetarët e Kosovës” – theksohet në njoftim.
Hamza ka zhvilluar këtë takim ndërkohë që kanë mbetur më pak se dy javë për zgjedhjen e presidentit të Republikës. Në rast se dështon zgjedhja e presidentit, atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare.