LAJME

Hamza: Programi ynë ka në fokus fuqizimin real të grave, më 7 qershor bashkë i themi STOP krizës

Hamza: Programi ynë ka në fokus fuqizimin real të grave, më 7 qershor bashkë i themi STOP krizës
TV Prizreni
TV Prizreni
1 Qershor 2026, 17:48

Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza në një takim të përbashkët me gratë aktiviste dhe mbështetëse të PDK-së u bëri thirrje që të mos e pranojnë krizën si normalitet dhe propagandën si rezultat.

Hamza tha se PDK ka vizion të qartë qeverisës me fokus te zhvillimi ekonomik, punësimi dhe fuqizimi real i grave, i cili do të jetësohet me 7 qershor duke e votuar numrin 125 për t’i thënë STOP krizës dhe për ta ndryshuar Kosovën.

“Do të investojmë në çerdhe. Do të investojmë në arsim. Do të investojmë në shëndetësi. Do të investojmë në mbështetjen e bizneseve të grave. Do të krijojmë kushte që gratë të jenë më të pranishme në tregun e punës. Sepse ne e dimë një të vërtetë se fuqizohet gruaja, fuqizohet familja, fuqizohet shteti”, shtoi ai.

Kreu i PDK-së theksoi se kriza ekonomike, sociale dhe politike që e ka kapluar vendin është rezultat i 6 viteve të keqqeverisjes së Qeverisë Kurti.

“Qeveria e deritashme nuk e ka bërë as edhe një investim, as edhe një politikë që lehtëson jetën e grave. Por ju e dini më mirë se kushdo tjetër se si është realiteti, sepse ju e ndjeni këtë çdo ditë. Ju e dini shumë mirë sa është rritur çmimi i produkteve bazë? Sa është rritur çmimi i energjisë elektrike? Sa është rritur çmimi i çerdheve? Ju jeni ato që e ndjeni menjëherë kur shporta e konsumit shtrenjtohet. Ju jeni ato që e dini sa kushton buka, qumështi, energjia dhe çdo nevojë e përditshme. Dhe askush nuk mund t’ju bindë se jeta është më e mirë kur ju e shihni çdo ditë të kundërtën”, tha Hamza.

Ai ritheksoi se PDK nuk është kundër ndarjes së shtesave, sepse çdo ndihmë për familjet është e mirëseardhur, por qytetarët kanë nevojë për politika që u garantojnë stabilitet financiar dhe që janë të përhershme.

“Shtesat janë të njëhershme dhe po përdoren si mjet politik për blerje të votave. Shtesat nuk krijojnë vende pune. Shtesat nuk ndërtojnë çerdhe. Shtesat nuk krijojnë pavarësi ekonomike.

Një nënë nuk ka nevojë vetëm për një pagesë të përkohshme. Ajo ka nevojë për siguri. Ka nevojë për mbështetje të përhershme. Ka nevojë për mundësi. Ka nevojë për një shtet që e ndihmon të ndërtojë të ardhmen e saj”, shtoi Hamza.

Po ashtu, kreu i PDK-së uroi edhe 1 Qershorin, Ditën e Fëmijëve, duke thënë se ata janë pasuria më  e madhe e çdo familjeje dhe e ardhmja e vendit tonë.

“Kosovës i duhet një qeverisje që investon në të ardhmen e fëmijëve, krijon kushte më të mira për jetë, arsim cilësor dhe siguri.  Fëmijët duhen lënë jashtë betejave politike, gjithmonë”, tha Bedri Hamza.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika