Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e ka pranuar ftesën e kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për një takim të premten, për të diskutuar për formimin e institucioneve. Hamza ka thënë se përgjigjja e tij ka qenë për takim në orën 9.
Hamza ka thënë para mediave, pas takimit të Kryesisë së PDK-së, se kjo parti e ka më me prioritet adresimin e sfidave të Kosovës sesa ndarjen e posteve.
“Unë do të sillem në mënyrë të përgjegjshme dhe institucionale. Nuk jam kundër që të ketë takime, mirëpo para se të flasim për pozitat e kam thënë dhe e ripërsëris është tepër e rëndësishme prioritetet, vizioni për të ardhmen, programi, adresimi i sfidave të cilat i ka Kosova. Nëse nuk ka dakordim për këto, nuk është qëllimi i PDK-së të ketë një numër të caktuar të ministrive, të ketë një kryetar kuvendi, presidentin apo sidoqoftë”, ka deklaruar ai.
“Ftesa duhet të dërgohet në mënyrën se si e kërkon rendi që të dërgohet nga kryetari i partisë me numrin më të madh të ulëseve të siguruara në Kuvendin e Kosovës dhe të mbahet në objektet e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Më herët gjatë ditës, kryeministri në detyrë njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ftoi në takim pos Hamzës edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe atë të Aleancës, Ardian Gjini, për të diskutuar për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit në ditën kur ka hyrë në fuqi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Sot (e enjte) ka hyrë në fuqi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Deputetët e rinj kanë kohë për ta konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit deri më 7 gusht.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, LVV-ja mori 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18 e Aleanca 7.
Konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e qeverisë nuk do të jenë problem për Vetëvendosjen, pasi ka fituar 53 mandate dhe nevojiten 61 vota që edhe sipas deklarimeve të zyrtarëve të saj i ka, duke llogaritur në votat e deputetëve të pakicave, pa përfshirë ata të Listës Serbe.
E për presidentin duhen 80 vota, e që nënkupton se nevojitet edhe pjesëmarrja e PDK-së ose LDK-së.
Presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga konstituimi i Kuvendit.