Sadik Halitjaha, ish-zv/komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut, po vazhdon dëshminë e tij në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale.
Halitjaha po vazhdon dëshminë e tij, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit mbrojtës të Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, rreth strukturimit dhe komandimit të Zonës Operative të Pashtrikut.
Gjatë pyetjeve të mbrojtjes, Kehoe e pyeti dëshmitarin nëse komandant Drini ishte personi i duhur për ta bërë organizimin e zonës së Pashtrikut në atë kohë, marrë parasysh pozitën e tij dhe të Halil Qadrakut.
Dëshmitari tha se ”Komandant Drini ka qenë një oficer i aftë, ka qenë oficeri i vetëm shqiptar që në kohën e ish-Jugosllavisë të jetë një atashe ushtarak në armatën jugosllave”, ”Por Drini i ka pasë mangësitë e veta dhe ndoshta ka pasë edhe qëllime që na nuk e dimë çfarë qëllime, na i kemi pa si dobësi të tija”, ”Ai shkëputej nga realiteti i strukturimit, i zhvillimit dhe i komandimit të zonës” – deklaroi dëshmitari.
Dëshmitari tutje tha se pas dezertimit të Sylejman Kollçakut, Komandant Drinit i kishte ‘dështuar’ plani që të bëhej shef i shtabit të UÇK-së. Ikja e Kollçakut sipas dëshmitarit e kishte bërë komandant Drinin të shkëputshëm nga realiteti i strukturimit dhe i komandimit të zonës.
”Ai kërkoi që të vendoset diku më lartë, që prapë të ndikojë në Zonën Operative të Pashtrikut”, ”Atje në Shtab të Përgjithshëm emërtohet komandant i Akademisë Ushtarake” – shtoi dëshmitari.
Halitjaha është dëshmitarë i 36-të i Prokurorisë që po dëshmon në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar
Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.
Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.