Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku ka thënë se ndërtimi i Stadiumit Nacional të Kosovës do të nisë vitin e ardhshëm dhe se për këtë tashmë po negociohet marrja e një kredie ndërkombëtare që do të përdoret për ndërtimin e tij.
Çeku ka folur për Stadiumin Nacional të Kosovës duke treguar se kur pritet të fillojë ndërtimi i tij.
“Stadiumi nacional, aktualisht bashkë me Ministrinë e Financave po bëjmë negocimin e kredisë ndërkombëtare, në momentin që do ta kemi marrëveshjen për kredi ndërkombëtare, e njëjta procedohet në Kuvend për ratifikim dhe presim që në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm të nisin punimet edhe në ndërtimin e Stadiumit Nacional të Kosovës”, ka thënë Çeku.
Çeku: Infrastruktura sportive ka të buxhetuar mbi 200 milionë euro
I pari i MKRS-së ka folur edhe për bashkëpunimin e Shqipërisë me Serbinë për organizimin e Kampionatit Evropian të grupmoshave U21 në vitin 2017. Ai theksoi se nuk ka pasur fare komunikim me Shqipërinë për mundësinë që ky kampionat të organizohet në një bashkëpunim Shqipëri-Kosovë.
“Faktet duhen thënë, ne si ministri nuk jemi kontaktuar asnjëherë në raport me mundësinë e bashkë-organizimit të këtij kampionati. Pra ne kemi kuptuar që një gjë e tillë po ndodh në momentin kur është publikuar aplikimi i përbashkët Shqipërisë me Serbinë për ta organizuar këtë kampionat. Fatkeqësisht pas kritikave që kanë marrë, nga Federata e Shqipërisë është thënë që Kosova nuk është gati me infrastrukturë, kjo nuk qëndron… Shumë shpejt vendin tonë e bëjmë lider në rajon për infrastrukturën e futbollit, deri në vitin 2027 ne do t’i kishim të përfunduara mjaftueshëm stadiume që këtë kampionat ta bashkë-organizojmë më Shqipërinë”, theksoi ministri i Sportit.
Çeku foli edhe për stadiumin e qytetit në Gjilan për të cilin tha se është në procedurë të vlerësimit për shpalljen e operatorit për ndërtimin e këtij stadiumi në vlerë prej 15 milionë euro.