Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka fajësuar presidentin e vendit, Hashim Thaçi, për themelimin e Gjykatës Speciale dhe shumë dështime tjera që kanë ndodhur në vend.
Çeku në Rubikon tha se Thaçi ka përgjegjësi kombëtare për themelimin e kësaj gjykate.
“Besoj që kryeprotagonisti i çfarë po përjetojmë ne tani, në të kaluarën dhe me gjasë do vazhdojmë të përjetojmë ende është vet zoti Thaçi”.
“Nuk kërkoj që tani t’i bëjmë një gjyq publik, por besoj në përgjegjësinë politike dhe kombëtare e morale të Hashim Thaçit në raport me Gjykatën Speciale”.
“Kjo gjykatë nuk është vetëm një moment i zhvillimeve politike në Kosovën e pasluftës – është një lloj vazhdimësie e dështimeve dhe paaftësisë të klasës politike në Kosovë për të ndërtuar shtet dhe për të mbrojtur një narrativë të drejtë, jo pse ka qenë në favor tonin por sepse ashtu ka ndodhur dhe e paaftësisë për të ndërtuar një lloj mekanizmi në betejën në të cilën Serbia ka qenë shumë agresive dhe brutale dhe nuk është ndalë asnjëherë”.
“Në vargun e atyre dështimeve Gjykata Speciale ka qenë vetëm një nga to”.
“Nëse zotriu [Thaçi] sot sërish e merr guximin që ta fajësojë dikë tjetër ose bashkëpunëtorët imagjinar dhe tradhtarëve të fshehtë që qëndrojnë prapa kësaj pune është totalisht absurde dhe nuk besoj që në Kosovë ekziston një njeri që beson në këto narracione të kota ose që nuk e dinë se kush ka qenë krye protagonisti jo vetëm i Gjykatës Speciale por edhe shumë dështimeve tjera”, deklaroi Çeku.
Çeku mes tjerash thotë se ata që e votuan këtë gjykatë tani po kërkojnë zhbërjen e saj.
“Këta të cilët e krijuan këtë gogolin e quajtur gjykatë që vjen në Këshilli i Sigurimeve me prokurorë rusë e kinezë vetë përfunduan në nismën për ta zhbërë këtë”.