Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, është pritur në Zyrën e Asistencës Teknike të Departamentit të Thesarit të SHBA-së nga drejtoresha në detyrë, Audrey Linthorst, gjatë Takimeve Vjetore 2025 në ëashington DC.
Sipas një komunikate për media nga Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Edukim Financiar të BQK-së, takimi riafirmoi partneritetin e fortë midis Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Departamentit të Thesarit të SHBA-së, si në projektin aktual, ashtu edhe në mundësinë e zgjerimit në fusha që janë diskutuar më parë.
Në njoftim thuhet se në fjalën e tij, guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Thesarit të SHBA-së ndaj BQK-së, duke vlerësuar lart rifillimin e aktiviteteve që mbështesin asistencën teknike. Gjithashtu, bëhet e ditur se ai vlerësoi lartë rolin e rëndësishëm të Departamentit të Thesarit të SHBA-së në ndërtimin e një banke qendrore të fortë dhe të qëndrueshme për Kosovën, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme për të fuqizuar funksionet kryesore dhe kapacitetet e BQK-së.
Siç bëhet e ditur në njoftim, guvernatori Ismaili riafirmoi angazhimin e BQK-së për të avancuar partneritetin e ngushtë me Thesarin e SHBA-së në fusha me interes strategjik të përbashkët.
Nga ana e tyre, udhëheqësit e Zyrës së Asistencës Teknike të Thesarit konfirmuan gatishmërinë për të vazhduar projektet ekzistuese dhe për të zgjeruar bashkëpunimin nën programin e ri të asistencës teknike, thuhet në njoftimin e BQK-së.