Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, i ka vlerësuar joserioze përpjekjet e kryeministrit Albin Kurti për të gjetur zgjidhje për çështjen e presidentit.
Në një status në Facebook, ai ka shkruar se në 34 ditët të cilat i caktoi si afat Gjykata Kushtetuese, Kurti 7 i kaloi në vizita jashtë vendit, që sipas tij, ishin të pafrytshme, e tri javët tjera pa asnjë përpjekje serioze për të gjetur zgjidhje.
“Albin Kurti, po të mos donte zgjedhje, siç deklaroi sot, nuk do ta shpërdoronte as mundësinë e dytë që ia dha Gjykata Kushtetuese, 34 ditë shtesë. Mjafton të shihet se si u përdor kjo kohë: nga 34 ditë, 7 i kaloi në vizita të pafrytshme jashtë vendit, ndërsa tri javët e tjera pa asnjë përpjekje serioze për zgjidhje. Tani, kur ka mbetur vetëm një javë, deklaratat politike nuk kanë më peshë, sepse veprimet destruktive të tij në të dy raundet për zgjedhjen e presidentit flasin më qartë se çdo fjalë” – ka shkruar Gruda.





