Shukrije Ramadani, gruaja e ish-komandantit të UÇK-së Agim Ramadani, e ka kujtuar atë në 23 vjetorin e Betejës së Koshares.
Agim Ramadani, i njohur me nofkën “Katana”, ishte njëri nga udhëheqësit e kësaj beteje që ishte një ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së.
“114 shkallëve të lotit u ngjita për rininë tuaj të këputur nga dashuria, qava e qesha me ju deri në muzgun e ngrirë të atdheut. 114 herë lulet m’u venitën në dorë e buzët plagë mu bënë nga puthja e gurit që flet ma shumë se i gjalli që s’e njohu rininë tuaj”, ka shkruar gruaja e tij.
Tutje, vargjet e saj vazhdojnë duke thënë “114 dhimbje më therën shpirtin nga dashuritë e palindura të vashave shterpë në pritjen tuaj, shtojzvalle që brigjeve të atdheut në kërkimin tuaj mbetën”.
“114 herë u verbova nga shkëlqimi i syve tuaj yje lirie që në buzëqeshje foshnjash përtrirë jeni. 114 herë lotin e fshiva me dorën tuaj e amanet ju lash lulet të m’i ruani për nuset në pritje. 114 herë ju luta ofshamat mos t’u rëndojnë e harresa mos t’u lëndojë se ju roje lirie mbeteni e neve të gjallëve falnani që nuk e dimë ç’bëjmë me ëndrrat tuaja të nxjerruna tregjeve të pista të botës”, ka shkruar Shukrije Ramadani, gruaja e komandantit Agim Ramadani.