Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se Departamenti i Përgjithshëm (gjyqtari Fatmir Krasniqi), ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Sh.H. për shkak se është fajtor, për dy vepra penale të “vjedhjes së rëndë”, dhe një vepre penale “vjedhja e rëndë në tentativë”.
Sipas njoftimit, më 12.01.2025, në Prizren pas orëve të mesnatës duke bashkëvepruar me një të pandehur tjetër V.G. (shtetas bullgar), të pandehurit të pajisur me maska, me rroba të zeza dhe të pajisur me mjete të përshtatshme, me përdorim të forcës fizike dhe mjete të përshtatshme, hapin derën e lokalit, duke depërtuar brenda në lokalin e argjendarisë, duke shkuar në vendin ku gjendet kasaforta të cilën arrin ta dëmtojnë, duke arritur të hapin të njëjtën dhe pas hapjes nga e njëjta arrin të marrin 3 kg ari 14 karat, 1 pesë lirë, 2 lira, hallka të dorës, 1 kg argjend me pastërti 925 dhe 1 peshore, të cilat i vendosin në çantë dhe pastaj largohen nga vendi i ngjarjes, me të cilat veprime të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material në shumë prej 195.000 €.
Më tutje, thuhet se me datë të njëjtë 12.01.2025, në orët pas mesnate, në Prizren, tentojnë të marrin pasurinë e të dëmtuarit, në një lokal të argjendarisë, ashtu që të pandehurit të pajisur me maska, me rroba të zeza dhe të pajisur me mjete të përshtatshme. Fillimisht bëjnë deaktivizimin e alarmit dhe pasi bëjnë, me përdorim të forcës fizike dhe mjete të përshtatshme dëmtojnë hallkat (mbajtësit) e drynit si dhe derën e aluminit, duke e hapur të njëjtën, përmes të cilës arrin të hynë brenda në lokal, të cilët me përdorim të forcës fizike dhe mjete të përshtatshme për hapjen e kasafortës, përpiqet ta hap. Pasi nuk arrin të hap kasafortën, menjëherë largohen nga vendi i ngjarjes, me të cilat veprime të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material.
Kurse me datë 23.01.2025, siç bëhet e ditur, në objektin e të dëmtuarit, i pandehuri Sh.H., me qëllim që vetes ti sjell dobi pasurore të kundërligjshme, përmes përdorimit të forcës fizike e thyen xhamin e pjesës së objektit të mbyllur, përmes të cilës arrin të depërtoj brenda në pjesën e objektit të mbyllur, dhe pas depërtimit brenda arrin të merr një modem të internetit “T……”, një DVR, dhe duke dëmtuar kabllot të sistemit të kamerave dhe pastaj pa u vërejtur nga askush largohet nga vendi i ngjarjes, me të cilat veprime të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm material.
Sipas Gjykatës, me këtë ka kryer dy vepra penale të vjedhjes së rëndë, dhe një vepër penale të vjedhjes së rëndë në tentativë.
Pas mbajtjes së nëntë seancave gjyqësore dhe fjalës përfundimtare të dhënë me datë 17.07.2026, Gjykata e Prizrenit thotë se, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin Sh.H., e shpalli fajtor dhe e gjykon me dënim me burgim unik në kohëzgjatje prej shtatë vitesh, si dhe dënim unik me gjobë në shumën prej 2,000.00 Euro.
“Gjyqtari i procedurës ne kuptim te dispozitave ligjore, e ka urdhëruar të akuzuarin Sh.H., për të paguar një shumë të barasvlershme për dëmin që ia ka shkaktuar të dëmtuarit A.B., e cila është në shumë prej 195.000 € ose Gjykata të konfiskojë pasuritë e të pandehurit me vlerë të barasvlershme, të cilat pasuri janë ngrirë me urdhëresë të Gjykatës, duke bërë shitjen e apartamentit dhe automjeteve përmes ankandit publik nga ana e Agjencisë për Pasuri të sekuestruar ose konfiskuar dhe pas shitjes së tyre, me shumën e të hollave të përfituara nga shitja e pasurisë, të dëmtuarit A.B., t’ia kompensojë dëmin material të shkaktuar si rezultat i veprës penale.” – thuhet në njoftim.
Pasuritë që janë ngrirë dhe të cilat duhet të shiten nga AAPSK, janë të listuar si më poshtë:
- Një apartament në sipërfaqe prej 117 m 2,
- Një Automjeti i markës Renault/ “Megane”,
- Automjeti i markës “BMW/1K4”,
- Automjeti i markës “BMW/Z3”,
- Automjeti i markës “STELS/650-ST Traktor”.
Sipas njoftimit, të akuzuarit Sh.H., i është vazhduar masa e paraburgimit, e cila masë do të zgjasë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.