Nënkryetari në detyrë i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ardian Gola, mbajti sot një fjalë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të BE-së, e cila po mbahet në Kopenhagë, në kuadër të panelit “Qëndrueshmëria demokratike në kohë ndryshimesh”, me fokus: dezinformimi, ndryshimet teknologjike, rënia e besimit në institucione.
Siç bëhet e ditur në njoftim, në fjalën e tij, Gola tha se rezilienca demokratike sot nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen, por edhe me kredibilitetin dhe kredibiliteti fillon me besimin. Në këtë drejtim, shtoi ai, mendimi i Jurgen Habermas na kujton diçka të rëndësishme: legjitimiteti demokratik nuk mbështetet vetëm mbi institucionet, por edhe mbi cilësinë e arsyetimit publik që i mban gjallë ato. Ideja e tij mbi demokracinë deliberative, nënvizoi Gola, thekson se besimi ndërtohet përmes dialogut të hapur, racional dhe gjithëpërfshirës në sferën publike.
“Për ne si udhëheqës parlamentarë, kjo do të thotë se rezilienca nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e strukturave demokratike, por edhe me kultivimin e një kulture politike ku argumentet mbizotërojnë mbi manipulimin dhe ku qytetarët e gjejnë veten në vendimet e marra në emrin e tyre”, theksoi ai.
Ai shtoi se në gjithë rajonin tonë përballemi me presione të përbashkëta, dezinformimin, trazirat teknologjike dhe rënien e besimit në institucionet publike.
“Këto sfida ndikojnë drejtpërdrejt në legjitimitetin e punës sonë dhe në besimin që qytetarët vendosin te demokracia përfaqësuese”, shtoi Gola.
Për Kosovën, nënvizoi nënkryetari në detyrë Gola, rezilienca demokratike është e lidhur ngushtë me rrugën e saj evropiane.
Ai tha se Kosova ka bërë përparim të prekshëm në organizimet zgjedhore dhe avancimin e të drejtave themelore, ndërsa vazhdon të punojë në efikasitetin e gjyqësorit, median dhe administratën publike. Për ne, potencoi ai, reforma nuk është një formalitet, por një transformim.
“Këtu në Kopenhagë, filozofi i njohur danez Soren Kierkegaard na kujtoi kohë më parë se ‘jeta mund të kuptohet vetëm duke parë pas, por duhet jetuar duke parë përpara’. Në këtë kuptim, ai na mëson se e ardhmja e shoqërisë nuk varet vetëm nga mënyra se si e kuptojmë të kaluarën, por edhe nga mënyra se si zgjedhim të ecim përpara. Sa i përket reziliencës demokratike, ajo është edhe çështje zgjedhjeje zgjedhja për t’u qëndruar besnik parimeve, edhe kur kjo është e vështirë”, theksoi në fjalën e tij nënkryetari në detyrë Gola.