Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekti fitues i zgjedhjeve dhe bartës i përgjegjësisë për propozimin e Kryetarit të Kuvendit, si dhe të gjitha partive parlamentare, që sot të ndërmarrin hapat e nevojshëm për konstituimin e Kuvendit. GLPS përmes një reagimi ka thënë se dështimi për ta konstituuar Kuvendin brenda afatit kushtetues nuk do të ishte vetëm një papërgjegjësi politike por një dështim i papranueshëm institucional, një shkelje e hapur e kushtetutës dhe një mungesë e rëndë përgjegjësie ndaj qytetarëve të Kosovës.
Sipas GLPS-së, sot më 7 gusht nuk ka më hapësirë për justifikime, interpretime të gjëra politike apo shtyrje të mëtejshme dhe se ekziston vetëm një detyrim i qartë që është konstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues. “Çdo dështim për ta përmbushur këtë obligim do të ishte shkelje e kushtetutës dhe një akt i papërgjegjshëm politik dhe institucional”.
GLPS-ja e ka konsideruar të papranueshëm arsyetimin e LVV-së për ndërprerjen e seancës së djeshme me pretendimin se nevojitet kohë shtesë për diskutime lidhur me zgjedhjen e presidentit/es.
“Çdo prolongim në emër të ‘diskutimeve politike’ e që për qëllim ka kalkulimet politike nuk i shërben zbatimit të dispozitave kushtetuese, cenon pritshmëritë e qytetarëve të Kosovës dhe rrjedhimisht interesin publik. Çështja e Presidentit/es nuk mund të përdoret si justifikim për të pezulluar ose shtyrë përmbushjen e një obligimi kushtetues që ka afat të qartë dhe të detyrueshëm. Ky arsyetim është edhe më pak bindës duke pasur parasysh se partitë politike kanë pasur muaj të tërë në dispozicion për të zhvilluar dialog lidhur me zgjedhjen e Presidentit/es. Edhe vetë caktimi i seancës në ditët e fundit të afatit kushtetues u arsyetua me nevojën për t’u dhënë partive kohë të mjaftueshme për të zhvilluar këto diskutime. Për më tepër, pas ndërprerjes së seancës nuk u pa asnjë takim mes partive politike që do ta justifikonte këtë shtyrje”, thuhet në reagim.
GLPS ka theksuar se konstitutimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë e procesi i zgjedhjes së presidentit nuk duhet të ngatërrohen.
“GLPS rikujton se konstituimi i Kuvendit është parakusht për zgjedhjen e dy organeve tjera kushtetuese Qeverisë dhe Presidentit e të cilat kanë afate strikte kushtetuese. Procedura për zgjedhjen e Presidentit/es mund të zhvillohet brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e konstituimit të Kuvendit. Duke qenë se mandati i Presidentes në detyrë përfundon më 5 tetor, çdo zvarritje vetëm sa e rrit rrezikun e një krize të re kushtetuese. Në të njëjtën kohë, ushtrimi i funksionit të Presidentit/es përtej përfundimit të mandatit kushtetues prej 6 muajsh do të përbënte tejkalim të mandatit kushtetues dhe cenim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës”, thuhet tutje.