Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës Glauk Konjufca ka kërkuar përfshirjen e plotë të Kosovës në Korridorin 8.
Ai gjatë Konferencës Ndërkombëtare mbi Korridorin e 8-të në Sofje, theksoi se lidhja rajonale nuk është vetëm një imperativ ekonomik, por gjithashtu një shtyllë strategjike e sigurisë.
Postimi i plotë:
Në Sofje, në Konferencën Ndërkombëtare për Korridorin VIII, të organizuar nga 🇧🇬Ministrja e Punëve të Jashtme, @vpetrova_mfa, theksova se lidhja rajonale nuk është vetëm një domosdoshmëri ekonomike, por edhe një shtyllë strategjike e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së 🇪🇺Bashkimit Evropian.
Theksova rëndësinë e përfshirjes së plotë të Kosovës në këtë rrjet. Investimet tona në Linjën Hekurudhore 10 dhe hekurudha e planifikuar Prishtinë–Durrës do të forcojnë lidhjet rajonale, do të diversifikojnë rrugët e transportit dhe do të fuqizojnë arkitekturën e sigurisë euroatlantike në Ballkanin Perëndimor.
Gjithashtu, ngrita çështjen e pengimit të vazhdueshëm nga Serbia të shkëmbimeve të energjisë elektrike me Republikën e Kosovës, pavarësisht afatit të përcaktuar nga @ener_community. Kjo cenon sigurinë energjetike rajonale dhe kërkon veprim të vendosur evropian për të siguruar respektimin e detyrimeve ekzistuese.
Korridori VIII duhet të bëhet më shumë se një vijë në hartë. Një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm dhe i ndërlidhur kërkon bashkëpunim pa pengesa dhe përfshirjen e plotë të Kosovës.