Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca, ka deklaruar se konfiskimi i mjeteve të rrezikshme të hënën nga Dogana e Kosovës në veri të Mitrovicës është dëshmi që Serbia po përgatit tjetër sulm të mundshëm sikurse ai që ndodhi më 24 shtator në Banjskë.
I ftuar në “60 Minuta” të KTV-së, Gjyshinca ka thënë se Serbia i ka theksuar hapur qëllimet e saj kundrejt Kosovës.
“Ajo se çka po shohim është dëshmia më e qartë që i gjithë aparati i sigurisë së shtetit po punon efektshëm. Çka pamë sot nga Dogana, konfiskimi i të gjitha atyre mjeteve është tjetër dëshmi që kemi të bëjmë me përgatitje për një sulm të mundshëm si ai që e kemi parë më 24 shtator. Serbia qëllimin e ka pasur gjithmonë. Në këto dy vjetët e fundit kemi hyrë në një dinamikë të re të implementimit të këtij qëllimi të rrezikshëm që Serbia ka kundrejt Kosovës. Kjo se çfarë po ndodh ditët e fundit është vetëm në vazhdën e aktiviteteve dhe sulmeve të mëhershme. Serbia i ka theksuar hapur qëllimet e saj. Në një anë kemi një marrëveshje për të cilën jemi dakorduar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian e po ashtu edhe me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe në anën tjetër kemi shkelje të vazhdueshme të dhëna nga Serbia më herët”, është shprehur ai.





