Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Kjo masë ndaj tyre është vazhduar përmes dy vendimeve të ndara nga kryetari i trupit gjykues, Charles SMith III.
Në arsyetimin e këtyre vendimeve thuhet se paneli ka konkluduar se vazhdon te ketë mungesë informacioni që justifikojnë gjetjet se Thaçi dhe Veseli mund të arratisen në rast që lirohen, por që ekziston rreziku që ata të pengojnë procedurat e DHSK-së, kryejnë krime të tjera kundër atyre që perceptohen si kundërshtar të UÇK-së dhe dëshmitarëve.
Për këtë, ZPS-ja ka parashtruar se këto rreziqe mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektin e paraburgimit të DHSK-së.
“Lidhur me rrezikun e pengimit të përparimit të procedurave të DS-së dhe kryerjes së krimeve të tjera, Paneli mban qëndrimin se asnjë nga masat e parashikuara në Nenin 41(12) nuk mund të zbusë në mënyrë të mjaftueshme rreziqet ekzistuese. Për më tepër, Paneli gjen se masat në vend në objektet e paraburgimit të DHSK-së, të shqyrtuara si tërësi, ofrojnë garanci të forta kundër vizitave dhe komunikimeve të pa monitoruara me anëtarët e familjes dhe vizitorët e miratuar paraprakisht, me qëllim minimizimin e rreziqeve të pengimit dhe kryerjes së krimeve të tjera. Për më tepër, ato ofrojnë një mjedis të kontrolluar ku një shkelje e mundshme e konfidencialitetit mund të identifikohet dhe/ose parandalohet më lehtë”, thuhet në vendimin ndaj Veselit, e njëtë edhe në atë ndaj Thaçit.
Paneli gjithashtu ka evidentuar se dy të akuzuarit janë në paraburgim për një periudhë të gjatë dhe se gjyqi në këtë rast është i gjatë. Kështu, iu kërkua palëve që të jenë të kujdesshëm dhe gjyqi të zhvillohet sa më shpejt që është e mundur.
Paneli ka konstatuar vazhdimi i masës së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për Thaçin dhe Veselin është i nevojshëm kështu që u urdhërua vazhdimi i kësaj mase./RTK/