LAJME

Gjykata Speciale ia vazhdon paraburgimin Rexhep Selimit

Gjykata Speciale ia vazhdon paraburgimin Rexhep Selimit
TV Prizreni
TV Prizreni
29 Korrik 2026, 11:50

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë urdhëruar vazhdimin e paraburgimit ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi.

Në vendimin e publikuar më 28 korrik 2026, Paneli i Gjykatës ka bërë të ditur se rishikimi i ardhshëm i paraburgimit të Selimit është caktuar në parim për 28 shtator 2026, përveç nëse ndërkohë publikohet aktgjykimi i çështjes.

Paneli ka vlerësuar se, duke pasur parasysh se seanca për shpalljen e aktgjykimit është planifikuar për 16 shtator 2026, në këtë fazë nuk është e nevojshme që palëve t’u kërkohen parashtresa shtesë lidhur me vazhdimin e masës së paraburgimit.

Në pjesën përfundimtare të vendimit, gjykata ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit ndaj Selimit dhe ka kërkuar nga mbrojtja e tij që të dorëzojë një version publik të njoftimit për rishikimin e paraburgimit ose të kërkojë riklasifikimin e dokumentit deri më 21 gusht 2026.

Rexhep Selimi po gjykohet në Hagë së bashku me ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, në një proces për akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ky nuk është vendimi i parë për vazhdimin e paraburgimit ndaj Selimit.

Gjykata edhe më herët ka konstatuar se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqe të lidhura me pengimin e procedurave gjyqësore, përfshirë ndikimin mbi dëshmitarët. /Telegrafi

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika