Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykimi lirues ndaj të akuzuarit, Asdren Mekaj, i cili ngarkohej nga Prokuroria Speciale për detyrim.
Aktgjykimi është shpallur të hënën në kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Teuta Krusha, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mekaj (i cili tani është avokat), akuzohet se i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro, pasi sipas Prokurorisë ai ka përdorur kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta sipas kushteve të tij.
Ndryshe, këtë lëndë e kishte gjykuar gjykatësi Xheladin Osmani, mirëpo me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Besnik Berisha, gjykatësi Osmani ishte përjashtuar, kurse me vendim të gjykatës lënda i është caktuar gjykatëses Teuta Krusha.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prizren, kundër të pandehurit Asdren Mekaj, për shkak të kryerjes së veprës penale “Detyrimi” nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me veprën penale “Shantazhi” nga neni 268, paragrafi 2 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, (KPPK) të kryera në vazhdim, lidhur me nenin 71 të KPPK.
Sipas aktakuzës, vepra penale është kryer në atë mënyrë që i pandehuri gjatë periudhës kohore, nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vetë i ka caktuar.
Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro, me të cilat veprime pretendohet se i pandehuri Mekaj ka kryer këto vepra penale.
Megjithatë, për veprën penale “Shantazhi” Gjykata Themelore në Prizren, më 31 gusht 2018, kishte marrë aktvendim, me të cilin e ka pushuar procedurën penale lidhur me këtë pikë të aktakuzës, me arsyetimin se prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme.