Gjykata e Prizrenit e ka ndryshuar masën e sigurisë për 3 të dyshuarit në rastin e keqpërdorimeve të pretenduara në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).
Për të dyshuarit Sami Mazreku, Valon Berisha dhe Ylli Çollaku, Gjykata ka ndryshuar masën nga paraburgim në arrest shtëpiak. Kurse të pandehurit Florent Sylejmani vetëm ia ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak.
Të pandehurit në këtë rast po dyshohen se kanë keqpërdorur autorizimet që kanë marrë nga BKS dhe kanë kryer transaksione të ndryshme ose për vete ose për persona të tjerë.
Tutje, të pandehurve Kushtrim Demolli, Egzona Gashi, Suad Haliti, Mërgim Zabeli, Ariana Mehmeti – Meleqi dhe Azem Rusinovcit Gjykata ua ka vazhduar masën e paraqitjes në stacionin policor dhe masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.
Seanca dëgjimore rreth këtij rasti ishte mbajtur më 09.01.2026 ndaj 39 të arrestuarve nën dyshimin për ‘zhvatjen’ e mbi 1 milion eurove të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BSK).
Seanca kishte nisur rreth orës 18:30 kurse kishte përfunduar pas orës 22:00.
Me vetura të shumta të Policisë, nën mbështetjen edhe të Njësisë së Reagimit të Shpejtë, 39 të arrestuarit në aksionin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit për ‘zhvatjen’ e mbi 1 milion eurove nga Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) ishin sjellë në Gjykatën e Prizrenit për të mbajtur seancën pasi ndaj të arrestuarve ishte kërkuar masa e sigurisë.