Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit me inicialet E.R., i cili dyshohet për kryerjen e katër veprave penale, përfshirë detyrimin në bashkëkryerje, privimin e kundërligjshëm të lirisë dhe frikësimin gjatë procedurës penale.
Sipas vendimit të gjyqtares së procedurës paraprake në Departamentin për Krime të Rënda, është aprovuar kërkesa e Prokurorisë së Shtetit, ndërsa masa e paraburgimit do të zgjasë deri më 3 shtator 2026.
Sipas dosjes së rastit, ekziston dyshimi i bazuar se E.R., gjatë vitit 2025, në bashkëkryerje me persona të tjerë dhe si pjesë e një grupi të organizuar, ka përdorur kanosjen për të detyruar një të dëmtuar të ndërmarrë veprime në dëm të pasurisë së tij. Si pasojë, viktima dyshohet se ka pësuar humbje materiale, si dhe frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij dhe të familjarëve.
Po ashtu, i dyshuari akuzohet se, së bashku me katër persona të tjerë, e ka privuar në mënyrë të kundërligjshme nga liria të dëmtuarin, duke e mbajtur të mbyllur kundër vullnetit të tij.
Hetimet kanë ngritur dyshime edhe se gjatë vitit 2026, në periudha të ndryshme kohore, E.R. ka përdorur forcë dhe kanosje serioze për ta penguar të dëmtuarin që të japë deklarata dhe informacione të vërteta para prokurorisë, me qëllim të ndikimit në procedurën penale.
Gjykata ka arsyetuar se paraburgimi është i domosdoshëm edhe për shkak se i dyshuari, sipas saj, kishte qenë në arrati që nga janari i vitit 2026 dhe kërkohej nga organet e drejtësisë për disa vepra penale. Për këtë arsye, është vlerësuar se ekziston rreziku që ai të largohet nga Kosova për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.
Në vendim theksohet gjithashtu se procedura hetimore është ende në zhvillim dhe se mbetet të sigurohen prova shtesë, të dëgjohen dëshmitarët dhe të merren deklaratat e të pandehurve. Sipas gjykatës, lirimi i të dyshuarit ose zëvendësimi i paraburgimit me një masë më të lehtë do të mund të krijonte rrezik për ndikim te dëshmitarët dhe pengim të zhvillimit normal të procedurës penale.
Duke marrë parasysh peshën e veprave penale, mënyrën e dyshuar të kryerjes së tyre dhe rrethanat e rastit, Gjykata ka vlerësuar se vetëm masa e paraburgimit garanton zhvillimin e papenguar të procedurës penale dhe praninë e të pandehurit në këtë fazë të procesit.