Policia ka njoftuar se të enjten, më datë 29.01.2026, rreth orës 12:15, ka pranuar informata se në fshatin Gjonaj të Hasit, në afërsi të shkollës, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri nga një automjet i tipit VW Golf.
Sipas njoftimit, menjëherë, patrulla policore është drejtuar në vendngjarje, ku automjeti i dyshuar është identifikuar dhe i është dhënë sinjal për t’u ndalur.
“I njëjti nuk ka respektuar urdhrin e policisë dhe është larguar me shpejtësi, duke u vënë në ndjekje nga patrulla policore e cila ishte ne vendngjarje dhe me pas i janë bashkuar edhe patrulla tjera. Pasi që i dyshuari ka ikur policia ka bastisur edhe shtëpinë e të dyshuarit, por ai nuk ka qenë aty. Në përfundim, i dyshuari është ndaluar, ndërsa arma – një pistoletë me pesë fishekë, të cilën e kishte hedhur në tokë – është gjetur dhe sekuestruar. I dyshuari H.B. 21 vjeçar është intervistuar dhe me aktvendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë” – thuhet në njoftim.





