LAJME

Gjonaj, 2 maj 1990 – një nga tubimet më të mëdha për pajtimin e gjaqeve në Kosovë

Gjonaj, 2 maj 1990 – një nga tubimet më të mëdha për pajtimin e gjaqeve në Kosovë
TV Prizreni
TV Prizreni
2 Maj 2026, 08:58

Më 2 maj 1990, në Kodrën e Pajtimit në Gjonaj të Hasit, u mbajt një nga tubimet më të mëdha popullore në historinë moderne të Kosovës, në kuadër të lëvizjes për pajtimin e gjaqeve. Sipas të dhënave të kohës, në këtë tubim morën pjesë rreth 100 mijë qytetarë nga vise të ndryshme shqiptare.

Lëvizja për pajtimin e gjaqeve kishte nisur më 2 shkurt 1990, me nismën e profesorit dhe veprimtarit të njohur Anton Çetta, duke u shndërruar shpejt në një aksion të gjerë atdhetar dhe humanitar. Kjo iniciativë synonte shuarjen e hasmërive shumëvjeçare dhe forcimin e unitetit kombëtar në një periudhë të ndjeshme historike për shqiptarët.

Tubimi në Gjonaj u zhvillua në rrethana të tensionuara politike, në kohën kur Kosova përballej me presione të shtuara nga regjimi serb dhe përpjekjet për shfuqizimin e autonomisë së saj. Në këtë kontekst, pajtimi i gjaqeve u pa si një akt i rëndësishëm i vetëdijes kolektive dhe i mobilizimit shoqëror.

Gjatë këtij tubimi, sipas burimeve, u falën 12 gjaqe nga zona e Hasit, ndërsa në tri raste – në Dedaj, Mazrrek dhe Rogovë – falja nuk u pranua. Po ashtu, u raportua për faljen e 27 gjaqeve dhe 36 plagëve nga rajone të tjera, përfshirë Prizrenin, Gjakovën, Podrininë, Lumën dhe Vrrinin.

Kjo datë vazhdon të kujtohet dhe të shënohet edhe sot. Prej 37 vitesh, SHKA “Malesori” organizon festivalin folklorik “Hasi Jehon”, me qëllim të ruajtjes së kujtesës historike dhe përcjelljes së mesazhit të pajtimit, unitetit dhe vlerave kombëtare tek brezat e rinj. Ky aktivitet kulturor shërben si një homazh i përhershëm për një nga momentet më domethënëse të historisë së afërt të shqiptarëve.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika