Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka njoftuar se është shqiptuar gjobë prej 200 euro ndaj personit që kishte hedhur mbeturina në mënyrë të paligjshme në fshatin Dobërdelan, duke dëmtuar hapësirën publike.
Sipas tij, përveç gjobës, personi në fjalë është detyruar edhe t’i largojë mbeturinat nga zona, e cila ishte pastruar disa herë nga institucionet komunale.
“Aty ku kemi kompetenca, veprojmë me përgjegjësi sipas ligjit”, ka theksuar Muharremaj.
Ky reagim vjen tri ditë pas paralajmërimit të kryetarit për masa ndëshkuese ndaj ndotësve, pasi autoritetet kishin identifikuar personin përgjegjës për hedhjen e mbeturinave inerte në këtë zonë.
Ndërkohë, Muharremaj ka pranuar se shqetësim mbetet edhe situata me moslargimin e mbeturinave nga kompania “Ekoregjioni”, duke rikujtuar se qëndrimet e tij për këtë çështje tashmë janë bërë publike.
Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe akterëve të tjerë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, në mënyrë që të tejkalohet gjendja aktuale dhe të rikthehet normaliteti në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
