Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bëri të ditur pas përfundimit të takimit me përfaqësuesit e partive politike, procedurat që do t’i paraprijnë seancës konstituive të Kuvendit, që është caktuar për datën 6 gusht në orën 10:00.
Ajo sqaroi se para rendit të ditës të seancës konstituive që përfshin verifikimin e mandateve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, më 3 gusht do të regjistrohen deputetët e lëvizjes Vetëvendosje, më 4 gusht, ata të PDK-së dhe LDK-së, si dhe me 5 gusht, deputetët e AAK-së dhe partive nga komunitetet joshumicë.
Haxhiu tha se tashmë ekzistojnë edhe kushtet për vazhdimin e takimeve me liderët politikë dhe bëri thirrje për angazhim serioz në arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit, detyrës që e ushtron vetë.
Lidhur me kandidatin për kryetar të Kuvendit, por edhe për atë presidentit, ajo theksoi se Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka marrë një vendim./KP





