LAJME

Gjetjet e raportit për Dhomat e Specializuara, Avokati i Popullit me letër sekretarit të ShBA-së dhe shteteve financuese

Gjetjet e raportit për Dhomat e Specializuara, Avokati i Popullit me letër sekretarit të ShBA-së dhe shteteve financuese
TV Prizreni
TV Prizreni
6 Maj 2026, 10:39

Avokati i Popullit, Naim Qelaj u ka dërguar një letër shteteve financuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, nëpërmjet së cilës ua ka përcjellë edhe raportin “Vlerësimi paraprak i Dhomave të Specializuara të Kosovës” dhe ka paraqitur shqetësimet e tij, të bazuara në gjetjet e këtij raporti.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se kjo letër, e përcjellë nëpërmjet kanaleve diplomatike, i është dërguar Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, Marco Rubio, si dhe Departamentit të Drejtësisë së ShBA-së. Letra informuese u është dërguar ministrave të punëve të jashtme të Zvicrës, Norvegjisë, Turqisë dhe Kanadasë.

“Raporti u është dërguar Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, Përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Roberta Metsola, Presidente e Parlamentit Evropian, znj. Despina Chatzivassiliou-Tsovilis, Sekretare e Përgjithshme e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Alain Berset, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, dhe Michael O’Flaherty, Komisionar për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës”.

Tutje në njoftim thuhet se në këtë letër, Avokati i Popullit ka shprehur shqetësimet lidhur me garancitë për një gjykim të drejtë gjatë procedurave në Dhomat e Specializuara të Kosovës, të identifikuara nga organizata “Bar Human Rights Committee of England and Wales” (BHRC) – Komiteti i Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Uellsit.

“Avokati i Popullit i ka informuar ata se Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar vazhdimisht përputhshmërinë me të drejtat themelore në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), si dhe kushtet e të paraburgosurve. Ai thekson në letër se, si pjesë e këtyre përpjekjeve, ka angazhuar organizatën BHRC për të kryer një vlerësim paraprak të pavarur, si rezultat i shqetësimeve të tij serioze dhe të vazhdueshme lidhur me respektimin e të drejtave themelore në kuadër të procedurave gjyqësore në DhSK”.

Raporti në fjalë ka identifikuar shqetësime serioze lidhur me mbrojtjen e garancive themelore procedurale që u ofrohen të akuzuarve, e në veçanti, me të drejtën për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm. Këto parime përbëjnë garanci themelore në kuadër të së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të drejtësisë penale ndërkombëtare.

Në këtë letër u nënvizua se e drejta për një gjykim të drejtë është e përcaktuar në nenin 14 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të dyja të zbatueshme drejtpërdrejt në rendin juridik të Kosovës nëpërmjet Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Këto dispozita garantojnë, ndër të tjera, të drejtën e çdo individi për një seancë të drejtë dhe publike para një gjykate kompetente, të pavarur dhe të paanshme, të krijuar me ligj; prezumimin e pafajësisë; kohë dhe lehtësi të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes; barazinë e armëve ndërmjet prokurorisë dhe mbrojtjes; si dhe transparencën në procedurat gjyqësore.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika