Vendi ka paralajmëruar qytetarët që të mos ndërmarrin udhëtime të panevojshme në shtetet fqinje, si Franca, Austria, Danimarka dhe Republika Çeke, shkaku i ngritjes së shkallës së të prekurve nga COVID-19
Droja se vala e tretë e COVID-19 në Gjermani mund të jetë më e keqja deri më tani ka nxitur shtetin që të zbatojë një shtrëngim të ri në kufij, të kërkojë paraqitjen e domosdoshme të testeve negative me mbërritjen në aeroporte që nga e marta, si dhe shpalljen e Francës si vend me rrezikshmëri të lartë.
Si rrjedhojë e kësaj, nisur nga e diela, kushdo që udhëton në Gjermani nga Franca do të duhet që të ofrojë si dëshmi testin negativ dhe të hyjë në karantinë dhjetëditore. Për më tepër, Gjermania i ka paralajmëruar qytetarët e saj të premten që të mos ndërmarrin udhëtime të panevojshme pos Francës, as në shtetet e tjera fqinje, si Australi, Danimarkë dhe Republikën Çeke, si pasojë e ngritjes së shkallës së të prekurve me COVID-19.
Ndërkaq, kontrollet e zakonshme kufitare dhe testet e detyrueshme do të hyjnë në zbatim edhe në kufirin francez, ka bërë të ditur ministri i Jashtëm i Francës.
“Pandemia në Gjermani është duke shpërthyer shumë më shpejt sesa që ata kanë menduar”, ka thënë ministri Jean-Yves le Drian.
Aktualisht Gjermania është duke u ballafaquar me më shumë se 20.000 raste të reja të infektimeve në ditë. Për këtë arsye, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka paralajmëruar: “Nëse kjo situatë vazhdon kësisoj e pakontrolluar, rrezikojmë që sistemi ynë i shëndetësisë të prekë pikën e thyerjes të muajit prill”.
Gjermania është mes vendeve evropiane me rritjen më të shpejt të përhapjes së COVID-19 gjatë kësaj jave. Numri i rasteve është rritur edhe në Poloni, për 35 për qind, ndërsa zyrtarët shëndetësorë të të dyja vendeve kanë bërë të ditur se rritja është pasojë e përhapjes së madhe të variantit të koronavirusit të zbuluar fillimisht në Britaninë e Madhe.
Sllovakia dhe Republika Çeke tani janë gjithashtu vende me rrezikshmëri të lartë, pas shënimit të një rënieje të lehtë të rasteve prej niveleve alarmante që kishin ndaluar pothuajse të gjitha udhëtimet. Edhe krahina austriake e Tirolit është klasifikuar si “zonë e mutacionit të virusit”.
Nëntëmbëdhjetë rajone të Francës janë vënë nën izolim. Parisi është ndër rajonet më të goditura, me pothuajse 600 raste për 100.000 banorë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të enjten vonë se nuk do të ketë “tabu” për sa i përket zgjerimit të masave. Të premten Qeveria ka bërë të ditur se është duke “garuar kundër kohës”, teksa është zotuar për ashpërsimin e kontrolleve në stacionet, aeroportet dhe rrugët e 19 zonave të prekura.
Në kohën e përballjes me valën e tretë të pandemisë, procesi i vaksinimit nëpër Evropë, edhe ashtu i nisur ngadalë, është ballafaquar me telashe rreth furnizimit.