Është mbajtur ceremonia e dorëzim-pranimit të donacionit me pajisje për Policinë e Kosovës nga Qeveria Gjermane, i cili përmban pajisje profesionale për mbikëqyrje dhe kontroll të kufirit.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, deklaroi se shpreson që ky donacion nuk do të kontribuojë vetëm në sigurinë e shtetit ligjor, por edhe në sigurinë tonë të përgjithshme dhe theksoi se bashkëpunimi mes dy shteteve në fushën e sundimit të ligjit, luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit është jashtëzakonisht i ngushtë.
Ndërkaq, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e falënderoi ambasadorin dhe shtetin gjerman për donacionin me vlerë rreth gjysmë milioni euro dhe theksoi se marrëveshja parasheh edhe ngritjen e hetimeve paralele dhe ekipeve të përbashkëta të hetimit mes dy policive, përdorimit të dosjeve të Sienës dhe Europolit.
“Ndërkohë janë duke vazhduar edhe trajnimet për policinë kufitare nga instruktorët e policisë gjermane dhe ashtu siç ne i zotohemi qytetarëve tanë, po ashtu i zotohemi edhe aleatëve dhe partnerëve se sundimi i rendit dhe ligjit, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është dhe do të mbetet fokusi ynë primar si qeveri, si parakusht për zhvillim e progres të vendit tonë”.
Në emër të policisë, falënderime për Rohde shprehu edhe u.d. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, dhe tha se vet prezenca e policisë së shtetit gjerman në Kosovë tregon që kemi një bashkëpunim te ngushtë.