Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr kufizimin ndaj mallrave të Serbisë, në pikën kufitare në Merdare.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s. Ne do ta mbështesim Qeverinë e Kosovës, për të garantuar që plotësohen kërkesat e saj të sigurisë, dhe do të monitorojmë proceset në pikën kufitare”, ka thënë ai përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
Vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur më herët gjatë ditës së hënë se kufizimi për hyrjen e mallrave prej Serbisë, është hequr në pikëkalimin në Merdare. Megjithatë, ai ka kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Perëndimit në sigurimin e skanerëve në pikat kufitare, në mënyrë që në Kosovë të mos hyjë asgjë prej Serbisë që mund t’ia cenojë sigurinë. Ai ka thënë se deri në sigurim të skanerëve, në Merdare do të kryhen kontrolle të rrepta.






