Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka pranuar një pajisje për pastrimin e ujit, donacion nga Gjermania, e cila u cilësua si shumë e nevojshme për FSK-në dhe qytetarët e Kosovës. Për të dorëzuar këtë pajisje në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë ishte sekretari parlamentar i shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes në Gjermani, Thomas Silberhorn i cili tha se FSK është në rrugën e duhur drejt transformimit.
Donacioni me pajisjen e ujit, sipas Silberhornm është dëshmi për thellimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Gjermanisë.
“Ne kemi një bashkëpunim të mirë me Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe është një mesazh i rëndësishëm jo vetëm për njerëzit e Kosovës, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare, se ju jeni në një rrugë të mirë për të transformuar Forcat e Sigurisë të Kosovës në mënyrë që të jeni në gjendje të mbroni njerëzit tuaj. Ky proces i transformimit është në koordinim të mirë dhe koordinim të ngushtë me NATO-n, dhe ne jemi në një proces të vazhdueshëm të projekteve dypalëshe midis Kosovës dhe Gjermanisë, dhe këtë mëngjes ne diskutuam në detaje se si të thellojmë bashkëpunimin tonë dypalësh si në arsim ashtu edhe në pajisjet e Forcave të Sigurisë së Kosovës. Kjo pajisje e trajtimit të ujit është një shembull i mirë i bashkëpunimit tonë dypalësh, që tregon rastet e bashkëpunimit të thellë dypalësh midis Kosovës dhe Gjermanisë, por edhe rolin e Forcave të Sigurisë së Kosovës që është të mbrojë qytetarët kosovarë në rast krize”, ka thënë Silberhorn.





