Autoriteti Federal i Aviacionit Civil të Gjermanisë (Luftfahrt-Bundesamt) ka korrigjuar një pasaktësi në të dhënat e tij lidhur me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, i cili, sipas Ambasadës së Kosovës në Gjermani, prej vitesh ishte evidentuar gabimisht si pjesë e Serbisë.
Lajmin e ka bërë të ditur ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti i cili ka thënë se korrigjimi erdhi pas reagimit të qytetarëve dhe angazhimit diplomatik.
“Falë reagimit të qytetarëve tanë dhe angazhimit të vazhdueshëm diplomatik, Autoriteti Federal i Aviacionit Civil të Gjermanisë (Luftfahrt-Bundesamt) ka korrigjuar pasaktësinë lidhur me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, i cili prej vitesh ishte evidentuar gabimisht si pjesë e Serbisë,” ka shkruar Ajeti.





