Ministri i Bujqësisë, Faton Peci është takuar me homologun e tij gjerman, Cem Ozdemir, ku u tha se Kosova e Gjermania kanë rritur bashkëpunimin në fushën e bujqësisë.
Ministria e Bujqësisë ka njoftuar nëpërmjet një komunikate të mërkurën se Gjermania do të financojë një projekt 20 milionë eurosh për të zhvilluar zona rurale në një periudhë 3-vjeçare.
“Të dy ministrat kanë diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, si dhe për mundësitë e zgjerimit të këtij bashkëpunimi edhe në sektorë të tjerë të bujqësisë. Në këtë drejtim, për të konkretizuar bashkëpunimin tutje, ata janë pajtuar që të diskutohen tutje për hapat dhe veprimet e bashkëpunimit konkret në fusha të ndryshme të bujqësisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Peci ka deklaruar se Kosova e Gjermania kanë qenë partnere në fushën e bujqësisë, derisa ka shtuar se “përkrahja është e pazëvendësueshme”.
“Gjatë kësaj vizite zyrtare, Ministri i Ushqimit dhe Bujqësisë të Gjermanisë, Cem Ozdemir, i shoqëruar nga Ministri Faton Peci kanë vizituar vreshtarë e verëtarë në Komunën e Rahovecit, si dhe patën një takim me gratë fermerë ë Kooperativën Bujqësore ‘Krusha’. Ndryshe, nesër në Kuvend si pikë e rendit të ditës është edhe ratifikimi i Marrëveshjes mes Qeverisë Gjermane dhe Qeverisë së Kosovës, për financimin e projektit në vlerë prej 20 milionë euro për zhvillimin e zonave rurale për periudhën 3 vjeçare”, thuhet tutje.