Po llogaritet si përballje e ekipit më të mirë të turneut me ekipin që faktikisht është vendas.
Finalja e Kampionatit Evropian mes Italisë dhe Anglisë, që luhet të dielën në “Wembley”, i plotëson të gjitha kushtet që të jetë një ndeshje e fortë dhe dramatike.
Më poshtë janë gjërat që mund të sjellin fitoren apo humbjen:
Kontrasti i mesfushës
Mesfusha është reparti ku Italia pa asnjë dyshim ka përparësi sa i takon kualitetit dhe përvojës.
Marco Verratti është një nga të paktët mesfushorë të klasit botëror në turne. Jorginho e fitoi Ligën e Kampionëve dhe dirigjon lojën para mbrojtjes, ndërsa Nicolo Barella ishte një zbulim, pasi fitoi titullin e Italisë me Interin. Barella 24-vjeçar, është më i riu i treshes së mesfushës.
Me Declan Rice dhe Kalvin Phillips që formojnë dyshen e mesfushorëve qendrorë, Anglia ka dy lojtarë që punojnë shumë. Ata krijojnë një bazë solide, por pritet të dominohen.
“Ndeshja gjysmëfinale ndaj Spanjës dhe ajo finale ndaj Anglisë do të jenë të ndryshme”, ka thënë Verrati. “Mesfusha është reparti kryesor. Ne ndoshta mund ta bëjmë dallimin aty dhe mund ta diktojmë ritmin e lojës”.
Pritet që Masoun Mount, mesfushori sulmues i Anglisë, të luajë më në thellësi për të ndihmuar Ricen dhe Phillipsin. Apo ndoshta do të kemi një ndryshim të sistemit.
”Stoli i gjatë”
Kjo me gjasë është forca kryesore e Anglisë. Për ta sqaruar: mbrojtësit që fituan Ligën e Kampionëve me Chelsean, Reece James dhe Ben Chilwell kanë luajtur vetëm një ndeshje në Euro 2020.
Dy lojtarët që selektori Gareth Southgate ishte në gjendje t’i aktivizonte në fillim të vazhdimeve ndaj Danimarkës në gjysmëfinale ishin Jordan Henderson, kapiteni i Liverpoolit që fitoi Ligën e Kampionatëve dhe Premier Leaguen, si dhe Phil Foden, i vlerësuar gjerësisht ylli i ardhshëm i futbollit anglez.
Në mesin e rezervistëve të pashfrytëzuar ishin sulmuesi i Manchester Unitedit, Marcus Rashford dhe Jadon Sancho, lojtari që kaloi tek Unitedi nga Borussia Dortmundi për 100 milionë dollarë.
Anglia me gjasë ka pasur më së shumti zgjedhje në sulm në Euro 2020, së bashku me Francën. Kjo mund të jetë vendimtare nëse ndeshja shkon në vazhdime.
Italia nuk e ka stolin të mbushur me emra të njohur, sidomos për sulm. Por e ka në stol Manuel Locatellin, njërin prej më të mirëve në fazën e grupeve dhe disa mbrojtës cilësorë.
Vendimet e trajnerëve
Njëri është trajner fitues i Premier Leagues, që ka punuar edhe në tri vende të tjera dhe në një numër të skuadrave të mëdha evropiane. Tjetri ka përvojë në klube vetëm tre vjet dhe në fund të kësaj periudhe ra nga liga.
Megjithatë, Euro 2020 ka treguar se aftësitë e Gareth Southgate të Anglisë jo domosdoshmërisht duhet të konsiderohen inferiore karshi atyre të Roberto Mancinit të Italisë. Sa i takon nivelit ndërkombëtar, natyrisht.
Southgate ka pasur qasje të caktuar në turne, modeluar sipas mënyrës pragmatike që Francës ia solli Kupën e Botës në vitin 2018. Sistemi dhe struktura janë ruajtur karshi lojës së bazuar në individë, pavarësisht se sa cilësor apo të talentuar janë ata.
Secili vendim i Southgate u dëshmua të jetë me vend. Por a do të merr ai vendime të drejta në ndeshjen më të madhe në karrierë?
Ka pak dyshues ndaj Mancinit, mbretit të qetësisë që rri në bankinën e Italisë.
Zonat e dobëta
Gjysmëfinalet me gjasë kanë vënë në pah disa zona të dobëta në të dy ekipet, që mund të shfrytëzohen në finale.
Portieri Jordan Pickford ishte shqetësimi më i madh i Anglisë para turneut. Ai pati një Evropian pa gabime deri në gjysmëfinalen ndaj Danimarkës. Në gjysmëfinale bëri disa goditje të gabuara dhe gjakftohtësia e tij u vë në dyshim.
Sa i takon Italisë, tek Anglia me shumë mundësi kanë marrë shënime për kalimet prapa mbrojtësit të majtë, Emerson Palmieri, që u aktivizua në vend të Leonardo Spinazzolas së lënduar.
Emerson, që ka luajtur rrallë për Chelsean, është mbrojtës i krahut me tipare sulmuese dhe mund të lërë hapësirë prapa, sidomos nëse Italia e humb posedimin dhe Anglia mund të zhvendoset shpejt.
Mbrojtjet e “çelikta”
Bëhet fjalë për dy mbrojtjet më të mira në Euro 2020.
Anglia ka pranuar vetëm një gol, dhe ai erdhi nga goditja e vetme e suksesshme e dënimit në turne. Me Southgate që preferon dy mesfushorë defensivë para mbrojtjes, kundërshtarët e Anglisë kanë pak hapësirë për të operuar.
Mbrojtja e Italisë është e njohur për dekada dhe mbetet tipar krenar i ekipit nacional. Në të gjitha 38 ndeshjet prej se Mancini mori drejtimin në maj të vitit 2018, ekipi ka pranuar më së shumti një gol. Por kryesisht nuk ka pranuar asnjë.
Në 23 ndeshje gjatë kësaj periudhe, Italia nuk ka pranuar gol. Leonard Bonucci dhe Giorgio Chiellini janë në qendër të mbrojtjes. Ata janë aq të afërt, sa do të shkojnë në pushime së bashku pas Evropianit.
“Italia ka këta dy luftëtarë prapa, që i kanë parë të gjitha këto gjëra më parë”, ka thënë Southgate.
Një barazim pa gola nuk mund të përjashtohet.