LAJME

Gjeneral Hoppe: FSK po i ngritë kapacitetet sipas standardeve të NATO-s

Gjeneral Hoppe: FSK po i ngritë kapacitetet sipas standardeve të NATO-s
TV Prizreni
TV Prizreni
21 Mars 2023, 21:07

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës janë duke ecur në drejtimin e duhur në përputhje me planet e tyre zhvillimore dhe se këshillimi për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së po bëhet në përputhje me standardet e vendeve të NATO-s. Kështu deklaroi drejtor në largim i ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s (NALT) në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, Joachim Hoppe.

Ky i fundit së bashku me pasardhësin e tij në FSK nga ekipi i NALT, gjeneral brigade Ralf Hammerstein u prit në Qeveri nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe  koloneli i FSK-së, Ejup Maqedonci.

Gjenerali Hoppe këto ditë e përfundon mandatin si drejtor i NALT dhe këtë detyrë do të fillojë ta ushtroj Gjeneral Hammerstein.

Kryeministri Kurti falënderoi gjeneralin Hoppe për qasjen e vazhdueshme bashkëpunuese dhe konstruktive me institucionet e Republikës së Kosovës, me theks të veçantë, për mbështetjen e pakursyer të tij dhe ekipit të tij për ngritjen profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas njoftimit për medie, gjeneral Hoppe gjatë mandatit të tij së bashku me ekipin e tij dha kontribut të theksuar në hartimin e politikave të mjekësisë ushtarake si dhe fusha të tjera që ndërlidhen me planifikimin strategjik në Ministri të Mbrojtjes dhe FSK.

Gjenerali Hoppe e falënderoi kryeministrin Kurti për bashkëpunimin e ngushtë. Derisa kryeministri kosovar e uroi edhe gjeneralin Hammerstein për detyrën dhe përgjegjësinë e re si drejtori i NALT dhe e siguroi atë që bashkëpunimi me ekipin e NALT do të vazhdojë me synim avancimin e mëtejmë.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika