Gjatë bisedës telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump, presidenti rus, Vladimir Putin, është pajtuar që të ndalë sulmet ndaj sektorit të energjisë të Ukrainës dhe infrastrukturës për 30 ditë, si një hap drejt arritjes së një armëpushimi të plotë.
Sipas njoftimeve për telefonatën e zhvilluar më 18 mars – që zgjati mbi 90 minuta – nga Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë u tha se janë të përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje për paqe afatgjatë me qëllim që t’i jepet fund luftës në Ukrainë.
“Udhëheqësit janë pajtuar se lëvizja drejt paqes të fillojë me një armëpushim për energjinë dhe infrastrukturën, por edhe negociata teknike për zbatimin e një armëpushimi detar në Detin e Zi, një armëpushim të plotë dhe paqe të përhershme. Këto negociata do të nisin menjëherë në Lindjen e Mesme”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
Në njoftimin e lëshuar nga Kremlini lidhur me bisedën, që u karakterizua si “e detajuar dhe këmbim i sinqertë i pikëpamjeve, u tha se Putini “paraqiti një sërë pikash të rëndësishme lidhur me sigurimin e kontrollit efektiv mbi një armëpushim të mundshëm përgjatë vijës së frontit, nevojën për të ndaluar mobilizimin e detyruar në Ukrainë dhe riarmatosjen e Forcave të Armatosura të Ukrainës.
“U theksua se kushti kyç për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe për të punuar drejt zgjidhjes së tij përmes mjeteve politike dhe diplomatike duhet të jetë ndalimi i plotë i ndihmës së huaj ushtarake dhe i ndarjes së informacioneve të inteligjencës me Kievin”, tha Kremlini.
Kremlini, megjithatë, tha se bisedimet e paqes “duhet të marrin parasysh nevojën absolute për të eliminuar shkaqet thelbësore të krizës dhe interesat legjitime të Rusisë në zonën e sigurisë”.
Ende nuk ka një koment nga Ukraina lidhur me rezultatin e bisedës mes Trumpit dhe Putinit.
Që kur nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Putin ka pretenduar, pa asnjë bazë, se Qeveria ukrainase drejtohej nga neonazistë që kryenin gjenocid ndaj pakicës ruse në lindje të Ukrainës dhe se qëllimi i Rusisë ishte “çarmatosja dhe denazifikimi” i Ukrainës.
Ai po ashtu ka akuzuar aleancën ushtarake të NATO-s se po përpiqet të fitojë terren në Ukrainë, një lëvizje që do të sillte trupat më afër kufijve të Rusisë.
Trump e ka bërë prioritet kryesor në nisje të mandatit të tij të dytë presidencial arritjen e një armëpushimi në luftën trevjeçare në Ukrainë.
Pas bisedimeve në Arabinë Saudite, zyrtarët ukrainas dhe amerikanë njoftuan më 11 mars se Kievi ishte pajtuar për një propozim lidhur me një armëpushim 30-ditor.
Më herët, Putin kishte sugjeruar kushte për paqe, sikurse ngrirja e furnizimeve amerikane me armë për Kievin dhe që Ukraina të mbetej “neutrale”.
Kievi për një kohë të gjatë ka kundërshtuar këto kushte.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensy, shpesh ka shprehur qëndrimin se që Kievi të pranojë ndonjë marrëveshjes të paqes, ajo duhet të shoqërohet me garanci të sigurisë për Ukrainën nga partnerët e saj perëndimor, përfshirë që një ditë Kievi të bëhet pjesë e NATO-s.
“Kam insistuar për [anëtarësimin e Ukrainës në] NATO, por e dini se cilat kanë qenë përgjigjet”, tha ai në shkurt, duke sugjeruar se rruga për t’u bashkuar me aleancën ushtarake perëndimore mbetet e bllokuar.
Më 16 mars, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha në një intervistë për CBS se një marrëveshje përfundimtare për paqe “do të kërkojë shumë punë të vështirë, koncesione nga të dyja palët, nga Rusia dhe Ukraina”, duke shtuar se do të ishte e vështirë të fillonin bisedime të tilla “derisa ata po qëllojnë njëri-tjetrin”./REL/