LAJME

Gërvalla viziton Qendrën për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve në Prizren: Asnjë grua dhe asnjë fëmijë nuk duhet të ndihen të vetëm përballë dhunës

Gërvalla viziton Qendrën për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve në Prizren: Asnjë grua dhe asnjë fëmijë nuk duhet të ndihen të vetëm përballë dhunës
TV Prizreni
TV Prizreni
21 Maj 2026, 12:28

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka vizituar sot Qendrën për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve në Prizren.

Gërvalla u prit nga drejtoresha ekzekutive, Jubilea Kabashi, me të cilën bën të ditur se biseduan për sfidat, nevojat dhe rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për gratë dhe fëmijët që kanë përjetuar dhunë dhe forma të tjera të abuzimit, në familje.

Sipas Gërvallës, prej vitit 2002, kjo qendër ka qenë strehë, mbështetje dhe shpresë për shumë gra, vajza dhe fëmijë, duke ofruar rehabilitim, trajtim psikosocial dhe përgatitje drejt një jete të pavarur e me dinjitet.

“Bashkë e me zë të lartë kundër dhunës, heshtjes dhe padrejtësisë ndaj grave dhe fëmijëve. Sepse dhuna nuk përfundon vetëm me largimin nga abuzuesi. Pas saj fillon beteja për siguri, vetëbesim, pavarësi ekonomike dhe rikthim të jetës normale. Strehimi është vetëm hapi i parë. Fuqizimi është beteja e vërtetë. Pikërisht aty, mbështetja institucionale dhe shoqërore bëhet vendimtare. Asnjë grua dhe asnjë fëmijë nuk duhet të ndihen të vetëm përballë dhunës. Bashkë kundër dhunës në familje, për një jetë me dinjitet dhe pa frikë” – ka shkruar tutje ajo në Facebook.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika